Partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve serbë, se dëshmitarë për krimet e luftës janë vrarë gjatë procesit të Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt në Hagë.
Në reagimin e saj, partia opozitare e Kosovës ka nënvizuar se, asnjë dëshmitar i thirrur nga Haga që prej vitit 2004 nuk është vrarë.
“I vetmi dëshmitar që ka humbur jetën është Kujtim Berisha, që ka vdekur në një aksident rrugor në Mal të Zi. Shkaktari i vdekjes së tij dihet në mbarëbotën që është një serb nga Mali i Zi, Aleksander Ristovic, i cili aktualisht ndodhet në burg”, thuhet në një deklaratë për shtyp.
Reagimi i AAK-së vjen pasi prokurori serb për krimet e luftës, Vladimir Vukcevic deklaroi për mediat serbe se mbi 40 dëshmitarë janë vrarë ose frikësuar gjatë proceseve gjyqësore ndaj Haradinajt dhe Limajt në Hagë.
Më herët ishte edhe vetë gjykata ndërkombëtare për krimet e luftës që hodhi poshtë këto deklarata, duke nënvizuar se, lajmet për vrasjen e dëshmitarëve janë absolutisht të pavërteta.
“Asnjë person nga lista e dëshmitarëve, ose person të cilit Haga i ka vendosur masa mbrojtëse, nuk është vrarë gjatë këtyre dy proceseve. Nga rreth 4 mijë dëshmitarë, të cilët kanë dëshmuar deri më sot në gjykatën e Hagës, 1 mijë prej tyre kanë pasur masa mbrojtëse”, deklaroi zyrtarja e Hagës, Nerma Jellacic.
Top Channel