FBI-ja dhe Departamenti amerikan i Shtetit po punojnë për përforcimin e masave të sigurisë në Shtetet e Bashkuara, me rastin e 10-vjetorit të sulmeve të 11 shtatorit.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat amerikane, sipas të cilave janë rritur kontrollet në aeroporte, në stacionet kryesore hekurudhore, në të gjitha pallatet qeveritare dhe për evenimentet më të rëndësishme sportive.
Zyrtarët amerikanë të sigurisë deklarojnë se nuk ekziston asnjë alarm specifik, nuk ka frikë për atentate spektakolare, por për aksione individuale.
Ky përvjetor i sulmeve të 11 shtatorit, që u morën jetën pothuajse 3 mijë vetëve, është i pari që pas vrasjes së Osama bin Laden, sheiku i terrorit që konsiderohet si arkitekti i tyre.
Obama dhe Bush, bashkë në Ground Zero
Këtë herë, në zonën ku ngriheshin dy kullat binjake, Ground Zero, presidenti amerikan Barack Obama do të jetë i pranishëm bashkë me parardhësin e tij George W. Bush, kryetarin e bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg dhe një nga figurat kyce të asaj kohe, Rudolph Giuliani.
Ndryshe nga herët e tjera në këtë ceremoni, ku do të përkujtohen 2752 viktimat e kullave binjake dhe 127 viktimat e dy avionëve të tjerë të marrë peng, nuk do të ketë fjalime por vetëm poezi.
Rregulli në fjalë është vendosur nga i “zoti i shtëpisë”, kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg.
Top Channel