Siri, protesta në ditën e Bajramit

30/08/2011 11:05

Protesta të reja anti-qeveritare raportohet se po përhapen në të gjithë
Sirinë, pas lutjeve të mëngjesit me rastin e ditës së Bajramit, që
shënon dhe fundin e muajit të Ramazanit.

Mijëra persona zbritën në rrugë, edhe në Damask, për të kërkuar rrëzimin e qeverisë së presidentit Bashar al Assad.

Aktivistët thonë se forcat siriane të sigurisë hapën zjarr në zona të ndryshme, duke vrarë të paktën shtatë persona, shumica e të cilëve në jug, në afërsi të Derasë.

Burimet saktësojnë se një person tjetër u vra në Homs, ndërkohë që shumë të tjerë mbetën të plagosur në zona të ndryshme të vendit.

Televizioni shtetëror sirian tregoi presidentin Assad që priste besimtarët në xhaminë e Damaskut dhe pinte kafe me të pranishmit, para se të largohej me shpejtësi.

Por diku tjetër, në rrugët periferike të kryeqytetit, mijëra persona kishin zbritur në rrugë për të kërkuar rrëzimin e regjimit të tij.

Komunikimet u ndërprenë në shumë pjesë të vendit dhe forcat e sigurisë u vendosën në rrugët përreth xhamive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA