Qeveria amerikane ka shpenzuar në dekadën e fundit 30 miliardë dollarë për kontrata me kompani të ndryshme për investime në Afganistan dhe Irak.
Kështu thotë një komision dypartiak që ka kontrolluar shpenzimet e luftës, i cili ka konstatuar gjithashtu besim të tepruar të qeverisë tek kontraktuesit, organizim të dobët të planeve, si dhe abuzime me shpenzimet.
Komisioni deklaron gjithashtu se ka prova për mungesë përgjegjësie dhe konkurrencë jo të ndershme.
Duke shkruar në “Washington Post”, autori i raportit paralajmëron se investimet në dy vendet mund të shkojnë dëm edhe pas përfundimit të misionit amerikan atje.
Mes shembujve të cituar është një burg 40 milionë dollarësh për Irakun, të cilin ky vend nuk e donte dhe që nuk ka përfunduar kurrë së ndërtuari.
Projektet e financuara nga SHBA në këto dy vende rrezikojnë gjithashtu të shkojnë dëm pasi qeveritë vendase nuk janë në gjendje ose nuk kanë vullnet për t’i mbështetur ato.
Një rast tjetër është ai për 300 milionë dollarë të derdhur për një central të sofistikuar energjie në Kabul, të cilin qeveria afgane nuk do të jetë kurrë në gjendje ta menaxhojë.
Edhe një program 11 miliardë dollarësh për baza për forcat afgane të sigurisë ka të ngjarë të shkojë drejt dështimit, thuhet më tej në raportin e komisionit.
Top Channel