I dërguari i Catherine Ashton në bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Cooper
ka qenë paraditen e sotme në Prishtinë, ku ka biseduar me autoritetet
vendase mbi raundin e ardhshëm të dialogut mes palëve.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat kosovare, sipas të cilave pas takimeve të zhvilluara me kryeministrin Hashim Thaci dhe negociatoren Edita Tahiri, Cooper është larguar pa bërë ndonjë deklaratë për mediat.
Megjithatë, në një dalje të mëvonshme, zëvendëskryeministri Hajredin Kuci ka sqaaruar se në takime është biseduar mbi temat që do të diskutohen në raundin e 2 shtatorit, në Bruksel.
“Ishte një takim parapërgatitor për bisedimet që do të zhvillohen më 2 shtator. Aty do të shprehen qëndrimet e Kosovës, të cilat me siguri do të harmonizohen me qëndrimet e të dërguarit të BE-së”, ka deklaruar Kuci.
Për të njëjtin motiv, një ditë më parë negociatori evropian, Cooper, ishte në Beograd, ku diskutoi mbi temat e dialogut me autoritetet serbe.
“Veriu”, diskutimi zhvendoset në Bruksel
Ne takimin e radhes në tavolinën e dialogut teknik mes Prishtinës dhe Beogradit, në raundin e ardhshëm të bisedimeve që pritet të jetë në ditët e para të shtatorit. Sipas burimeve ndërkombëtare, cituar nga Telegraf, Edita Tahiri dhe Borko Stefanovic do të ulen në tavolinën e bisedimeve në ditët e para tëmuajit shtator për t’u përpjekur të gjejnë zgjidhjen e problemit të funksionimit të doganave në veri të vendit, të cilat javët e fundit edheishin në qendër të trazirave në veri.
Negociatori serb, Stefanovic dhe zëvendëskryeministrja kosovare, e cila për dallim nga ai ka qenë shumë më pak aktive thuhet se janë duke u konsultuar vazhdimisht nga negociuesi evropian i bisedimeve, Robert Cooper.
Cooper: Në fillim dialogu, pastaj fajtori
Ndërmjetësi i BE-së në bisedimet Prishtinë-Beograd, Robert Cooper ka deklaruar se rëndësi ka që palët të tejkalojnë përmes dialogut krizën në veri të Kosovës.
Duke paraqitur para institucioneve të BE-së raportin mbi takimet e tij me zyrtarët kosovarë e serbë, Cooper ka vlerësuar se dialogu është më i rëndësishëm se sa gjetja e fajtorit për krizën.
“Dialogu duhet të vazhdojë në një mënyrë që të mundësojë progres”, ka deklaruar i dërguari i Bashkimit Evropian.
Sipas mediave kosovare, ulja e tensioneve, gjetja e një zgjidhjeje të përkohshme dhe vazhdimi i dialogut kanë qenë pikat kryesore të raportit të Cooper.
Tahiri: Diskutuam për vulat e doganave
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri duke folur për Top Channel tregoi qëllimin e vizitës së Robert Cooper në Kosovë.
Në kuadër të çështjeve të diskutuara me zyrtarin evropian, peshën më të madhe, sipas zonjës Tahiri, e ka tema për vulat e doganave.
Zëvendëskryeministrja kosovare pret që Serbia nëpërmjet njohjes së vulave të doganave të Kosovës të dëshmojë se i respekton parimet europiane.
TCH: Duke pas parasysh kerkesat e Beogradit a do të hiqni dorë?
“Për qëllimet e përgatitjeve të raundit të ardhshëm që mbahen më 2 shtator dhe gjatë bisedës së sotme e biseduam se çfarë çështjesh do të jenë në axhendë, të cilat do të jenë çështja e vulave, doganave të Kosovës, pastaj çështjet e telekomit, energjisë, katadastrave”, është shprehur Tahiri.
Shefja e delegacionit kosovar përsëriti qëndrimin tashmë të njohur se nuk do të diskutohet tërësia territoriale dhe tha se po e bën këtë për shkak të zërave që vijnë nga Beogradi për ndarjen e Kosovës.
TCH: Nuk do të diskutoni as për situatën në veri, sepse atje kanë ndryshuar nga koha kur e keni nisur ju dialogun?
“Çështja e respektimi i vulave të doganave të Kosovës, që e kemi kërkuar, është linja e kuqe, nën këtë nuk pranojmë asnjë formulim tjetër. Mendoj se sfida e Serbisë në këtë rast është që të njoh parimet evropiane”, shtoi ajo.
“Dialogu merret me zgjidhjen e çështjeve praktike mes dy shteteve, që kontribuon për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe integrimet evropiane, ndërsa vendosja e sovranitetit në veri, shtrirja konsolidimi, integrimi i serbëve në institucionet e Kosovës, janë çështje të sovranitetit të shtetit tonë”, theksoi Tahiri.
“Në bazë të axhendës ne sot e diskutuam përsëri, por e pamë që ndoshta është më mirë të fokusohemi në ato tema që janë afruar drejt zgjidhjes, në mënyrë që t’u japim mundësi raundeve të tjera që të diskutojmë çështjen e të pagjeturve që e kemi hapur, çështjen e dëmeve të luftës dhe më pas do të kemi çështje të tjera si transporti, hekurudha etj”, tha zëvendëskryeministrja.
Një çështje e re, që duket se ka pëlqimin e palës kosovare dhe Bashkimit Europian e që do të hapet në këtë raund bisedimesh, është bashkëpunimi rajonal.
Edita Tahiri tha se kjo është shtuar në axhendë me qëllim të eleminimit të pengesave që i bën Serbia Kosovës në bashkepunimin rajonal.
Top Channel