Djali i kolonel Gadafit, Hamis u vra gjatë një beteje pranë Tripolit, deklaroi një zyrtar i lartë i kryengritësve libianë.
Koloneli Al Mahdi al Harangi, i cili është përgjegjës për brigadën ushtarake të rebelëve në Tripoli, shtoi se e ka konfirmuar se Hamis u plagos rëndë në rajonin Ben Ualid dhe më pas u dërgua në spital ku edhe la frymën e fundit.
Më pas, sic shprehet Al Harangi, ai u varros në atë rajon, por nuk bëri të ditur se kur saktësisht u vra djali i kolonelit. Sidoqoftë deri në këto momente vdekja e tij nuk konfirmohet nga burime të pavaruara.
Ndërkaq Ministria e Jashtme e Algjerisë deklaroi se gruaja, vajza dhe dy djem të Muhamar Gadafit ndodhen në këtë vend. Por kryengritësit e konsideruan një veprim agresiv dhënien e strehimit për familjen e kolonelit si dhe deklaruan se do të kërkojnë ekstradimin e tyre në Libi.
“I paralajmërojmë të gjithë që të mos ofrojnë strehim për Gadafin dhe bijtë e tij. Do t’i ndjekim kudo që të futen dhe do t’i arrestojmë”, deklaroi një drejtues i lartë i kryengritësve pas lajmit se ata ndodhen në territorin algjerian.
Ndërkaq Shtëpia e Bardhë u shpreh se nuk ka të dhëna për vendndodhjen e liderit të përmbysur dhe se nuk ka dëshmi që Muhamar Gadafi të ketë braktisur Libinë.
“Nëse do ta dinim se ku ndodhej do ja kishim treguar kryengritësve”, deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhei Karnei.
Algjeria: Jo strehim familjes së Gadafit
Pas reagimit të ashpër të Komitetit Kombëtar të Tranzicionit në Libi ndaj Algjerisë për dhënien e strehimit ndaj familjarëve të Gadafit, ka ardhur reagimi nga ana e Algjerit zyrtar.
Në një komunikatë dërguar rebëlëve në Tripoli, Ministria e Jashtme algjeriane sqaron se pranoi të strehojë në territorin e saj, gruan dhe 3 djem të Gadafit për arsye humanitare, por se nuk ka ndërmend t’u japë atyre strehim.
Sipas Algjerit, familja e Gadafit do të qendrojë përkohësisht deri në udhëtimin në një shtet të tretë.
Vritet kreu i shërbimeve sekrete të Gadafit
Pas vrasjes së djalit të vogël të Muamar Gadafit, forcat rebele njoftuan edhe vrasjen e kreut të shërbimeve sekrete të regjimit të kolonelit, Abdullah al Sanusi.
Sanusi, sipas rebelëve, është vrarë së bashku me djalin e Gedafit, Hamis në qytetin Tarhuna, 90 kilometra në jug-lindje të Tripolit.
“Kemi informacione thuajse të sigurta që Sanusi është vrarë ditën e shtunë gjatë luftimeve me forcat e clirimtare kombëtare ditën e shtunë në një repart në Tarhuna”, citoi një zëdhënës i rebelëve për televizionin arab, Al Arabiya.
Për Abdullah al Sanusi ekzistonte edhe një mandat-arresti ndërkombëtar nxjerrë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare me akuzën e krimeve kundër njerëzimit.
Top Channel