Meksikë, 5 në pranga për zjarrin në kazino

29/08/2011 18:55

Policia meksikane ka arrestuar pesë persona në lidhje me zjarrvënien e disa ditëve më parë në një kazino të qytetit të Monterreit, ku mbetën të vrarë 52 persona.

Guvernatori i shtetit Nueva Leon, Rodrigo Medina ka deklaruar se personat e arrestuar dyshohet se janë anëtarë të kartelit famëkeq të drogës, Los Zetas.

Zyrtari i lartë ka sqaruar se hetimet e policisë janë përqendruar në pistën e refuzimit të pronarëve të kazinosë për t’i paguar “taksën e mbrojtjes” grupit kriminal.

Siguria në Monterrei është përforcuar me mbërritjen e qindra policëve dhe ushtarëve të tjerë pas sulmit tragjik të së enjtes së kaluar.

Guvernatori Medina ka nënvizuar se pesë të dyshuarit gjatë marrjes në pyetje nga policia kanë pranuar pjesëmarrjen në zjarrvënien e qëllimshme.

Ai ka shtuar se dy persona të tjerë po hetohen lidhur me ngjarjen, që ka qenë një ndër më të rëndat që kur presidenti Felipe Calderon nisi ofensivën kundër bandave të drogës në vitin 2006.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA