Një gjykatë kineze ka burgosur me 11 vjet një murg tibetian, i cili kishte fshehur një kolegun e tij që i vuri flakën vetes në shenjë proteste ndaj politikës së Pekinit.
Gjykata e dënoi atë për “vrasje të qëllimshme”, duke deklaruar se i kishte penguar murgut tjetër trajtimin mjekësor.
Incidenti ndodhi në muajin mars, në provincën e Sicuanit, ku është i pranishëm një komunitet i madh me etni tibetiane.
Ngjarja shkaktoi një valë protestash, si dhe një grumbullim të forcave të sigurisë në zonë. Rrethanat mbi vdekjen e murgut mbeten të paqarta.
Autoritetet kineze deklarojnë se personi, i njohur si Rigzin Phuntsog i manastirit Kirti, i vuri flakën vetes më 16 mars dhe vdiq për shkak se u fsheh për disa orë nga disa murgj të tjerë, të cilët i mohuan atij trajtimin mjekësor.
Në të njëjtën kohë, grupet tibetiane për të drejtat e njeriut deklaruan se dëshmitarë kishin parë një polic që i shuajti flakët murgut dhe që më pas e rrahu për veprimin e tij.
Në këtë pikë, sipas dëshmitarëve, murgjit dhe banorët lokalë e morën të lënduarin dhe e cuan në manastir para se ta dërgonin në spital disa orë më vonë.
Top Channel