Irene, Obama: Emergjenca nuk ka mbaruar

29/08/2011 08:00

Emergjenca që lidhet me uraganin Irene “ende nuk ka mbaruar”.

“Është kthyer në një stuhi tropikale, por vazhdon të jetë i rrezikshëm”, është shprehur Barack Obama, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke folur për uraganin Irene që goditi Nju Jorkun.

“Ekziston ende rreziku i përmbytjeve dhe i bëj thirrje të gjithë amerikanëve të ndjekin urdhrat e autoriteteve”, shtoi Obama.

Më pas, presidenti lavdëroi kontributin e të gjithë atyre personave të angazhuar në misionet e shpëtimit: “Ndihma ndaj popullsisë ishte një shembull i shkëlqyer i qeverisjes së mirë. Dua të falenderoj të gjithë personat që dhanë kontributin e tyre, në nivel federal dhe lokal, duke ndihmuar në shpëtimin e njerëzve të prekur nga uragani Irene.”

“Shtetet e Bashkuara kanë treguar edhe një herë tjetër se duke punuar bashkë mund të kapërcehet jo vetëm kriza ekonomike, por edhe fatkeqësitë natyrore”, përfundoi Obama.

 

Irene, rihapen aeroportet në Nju Jork

Aeroportet e Nju Jorkut, John F Kennedy, Newark dhe La Guardia, do të rihapen mëngjesin e sotëm pasi ishin mbyllur për shkak të emergjencës së shkaktuar nga uragani Irene.

Lajmin e bën të ditur enti i aviacionit amerikan (FAA), në faqen e tij në internet.

JFK dhe Newark do të fillojnë punën në orën 6 të mëngjesit, ndërsa La Guardia në orën 7 (me orën lokale).

 


Uragani Irene arrin në Kanada

Uragani Irene, i zbritur në nivelin e stuhisë tropikale pas
humbjes së fuqisë, ka prekur edhe Kanadanë.

Erërat e forta dhe reshjet e shiut kanë përfshirë juglindjen
e Kebekut duke lënë pa energji elektrike rreth 200 mijë banesa.

 

 

 

 

Top Channel