
Rrugë të përmbytura, frikë, evakuime, por jo dëme katastrofike të cilave i druhej shumëkush. Uragani “Irene” e goditi Nju Jorkun i dobësuar dhe i ulur në klasifikim si stuhi tropikale, që solli me vete erëra të dhunshme dhe shira të rrëmbyer. (UPDATE)
Ndonëse ka humbur shumë nga forca e saj, “Irene” vazhdon të konsiderohet shkatërruese dhe autoritetet rajonale paralajmerojnë se impakti i stuhisë nuk është venitur aq shumë.
Më e keqja kaloi, tha Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Janet Napolitano, por telashet tona nuk kanë përfunduar.
“Irene mbetet një stuhi e fuqishme dhe e rrezikshme. Njerëzit duhet ta marrin seriozisht dhe të jenë të përgatitur”, tha Napolitano.
Mungesa e energjisë elektrike vazhdon të mbetet një problem madhor. Mbi 3 milionë njerëz kanë mbetur pa energji, ndërsa bilanci i viktimave të uraganit llogaritet në 13 të vdekur në 5 shtete, mes të cilëve edhe dy fëmijë. Një prej tyre humbi jetën nga rrëzimi i një peme, të cilën forca e erës e shkuli nga rrënjët.
Me erëra që nuk kalojnë tani 100 kilometrat në orë, “Irene” po lëviz drejt veriut dhe pritet të godasë edhe Kanadanë. Një ditë më parë, ajo u përplas furishëm mbi brigjet e Karolines së Veriut, duke përmbytur rrugë e rrëzuar pemë.
Vazhdën e shkatërrimeve e thelloi me kalimin në zonën e Ëashingtonit, ndërsa fuqia e erërave u ndje deri në 150 kilometra nga epiqendra e stuhisë.
Të shtunën, presidenti Obama vizitoi qendrën e komandës, ku zyrtarë të lartë të emergjencave janë duke bashkërenduar masat për të përballuar gjendjen. Shefi i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi se gjendja mund të jetë kritike në 48 orët e ardhshme.
Ekspertët përmenden edhe rrezikun e tornadove, ndërsa marina e Shteteve të Bashkuara i dha urdhër Flotës të Dytë, të stacionuar në Virxhinia, të dalë në det të hapur për të shmangur dëmet e mundshme.
Rreth 370.000 banorëve të Nju Jorkut, që jetojnë në zonat e ulta të tij, iu kërkua të largohen nga shtëpitë e tyre, evakuimi më i madh që është shënuar ndonjëherë në historinë e qytetit.
Sistemi i transportit publik është mbyllur dhe zyrtarët druhen se ujrat e përmbytjeve mund të prekin metronë e Nju Jorkut e të gjithë rrjetin e kabllove që ushqejnë qytetin me energji. Uji ka mbuluar e rrugët e Kuins Manhatenit dhe ato të Coney Island.
Niveli i East river u rrit ndjeshëm duke iu afruar kufirit të barrierës rrethuese, ndërsa lumi Hudson i kaloi argjinaturat, duke u derdhur në shëtitoren e Battery Park.
Kryebashkiaku Majkëll Blumberg e ka lënë në fuqi paralajmërimin e tij për të shmangur lëvizjet, duke thënë se jetët e njerëzve ende kërcënohen nga “Irene”.
Kemi akoma disa orë të gjata përpara, tha presidenti Obama, ndërsa në Karolinën e Veriut, Merilend, Virxhinia, Delauer, Nju Xhersi, Nju Jork dhe Kenektikut është shpallur gjendja e emergjencës.
Aeroportet JF Kenedy dhe La Guardia të Nju Jorkut janë mbyllur dhe me mijëra fluturime janë anuluar.
Top Channel