Erërat e dhunshme të uraganit “Irene” mbërritën në Nju Jork, duke sjellë me vete shira të rrëmbyer dhe rrezikun e përmbytjes së distriktit të tij financiar, Wall Street-it.
Niveli i lumit East River është rritur ndjeshëm, duke mbërritur në buzë të barrierës rrethuese. Në Long Beach, rrugët janë përmbytur, thotë CNN, ndërsa ujërat e rrëmbyer shkulën nga themelet dhe morën me vete një godinë të rojeve të plazhit.
Sistemi i transportit publik në Nju Jork është mbyllur dhe kryebashkiaku Majkëll Blumberg tha se tani, është shumë vonë për evaikuime. Janë gati 370.000 njerëz që banojnë në zonat e ulëta të qytetit të cilëve u ishte kërkuar të largohen prej andej, por në këtë pike, sipas Blumberg, është më mirë të qendrojnë brenda e të shmangin cdo lloj lëvizje.
“Irene”, që vazhdon të godasë brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara me rrebeshe shiu dhe erëra të forta, është dobësuar në fuqi që kur preku tokën, duke u klasifikuar në kategorinë e parë, por ekspertët mendojnë se ajo është potencialisht shkatërruese, së paku për nga rreziku i përmbytjeve.
Në të gjithë rajonin e prekur prej saj, rreth 3 milionë njerëz kanë mbetur pa energji elektrike. Pothuajse po kaq persona janë zhvendosur nga zona e rrezikut, kryesisht nga Nju Xhersi. Numri i viktimave ka mbërritur në 9, shtatë burra, ndër të cilët një serfist, një grua dhe një femije, i cili humbi jetën nga rrëzimi i një peme, të cilën fuqia e erës e shkuli nga rrënjët.
Nju Jorku është në syrin e stuhisë, që ka në rrugën e saj disa nga zonat me popullatën më të dendur në vend përfshirë Uashingtonin, Filadelfian dhe Bostonin.
Të shtunën presidenti Obama vizitoi qendrën e komandës, ku zyrtarë të lartë të emergjencave janë duke bashkërenduar masat për të përballuar gjendjen. Ai paralajmëroi se gjendja mund të jetë kritike në 72 orët e ardhshme.
Fuqia e erërave të uraganit “Irene” është ndjerë deri në 150 kilometra nga epiqendra e stuhisë. Marina e Shteteve të Bashkuara i dha urdhër Flotës së Dytë, të stacionuar në Virxhinia, të dalë në det të hapur për të shmangur dëmet e mundshme.
“Irene” ka shkaktuar tornado në të paktën 4 shtete e ka sjellë ngërce të mëdha të trafikut ajror, duke detyruar anulimin e mijëra fluturimeve.
Top Channel