Nigeri, bombë zyrës së OKB-së në Abuja

26/08/2011 14:45

Një sulm me bombë është verifikuar sot në selinë e OKB-së në kryeqytetin nigerian Abuja, kanë bërë të ditur Kombet e Bashkuara.

Korrespondenti i BBC, i cili ndodhet në zonën e shpërthimit thotë se kati i parë i ndërtesës është dëmtuar rëndë.

Shërbimet e emergjencës janë vënë në punë për të lëvizur kufomat nga ndërtesa, ndërkohë që një numër personash të plagosur po dërgohen në spital.

Deri tani ka raportime të ndryshme për numrin e viktimave, që varion nga 3 në 10, ndërkohë që të plagosurit janë rreth 60.

Militantët islamikë kanë kryer së fundmi sulme të shumta në qytet, por deri tani atentati i sotëm nuk është marrë ende përsipër nga askush.

Për një autobombë që shpërtheu në selinë e policisë në qershor u fajësua sekti islamik Boko Haram, një grup që kërkon vendosjen e ligjit “Sharia” në Nigeri.

Top Channel