Të paktën 40 inspektorë nga sektori i verifikimit në terren në Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë e Tiranës janë pushuar nga puna mesditën e të premtes.

Në shkresën që i komunikon ndërprerjen e marrëdhënies së punës firmosur nga drejtori Arben Kau motivi largimit nga puna është “paefektivitet me mosshfrytëzim të kohës së punës dhe pa realizim të ardhurash në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2010 dhe performancë e dobët”.

Të sapolarguarit nga puna duke u prononcuar për Top-Channel thonë se largimi është i motivuar politikisht.

“Në momentin që erdhi drejtori i ri me drejtoreshën operacionale, na  është kërkuar realizimi i kontratave. Gjatë kësaj periudhe u realizuan të gjitha kontratat dhe i dorëzuam. Ndërkohë na thanë sot se ndërprisni marrëdhëniet. Nuk i dimë shkaqet e vërteta. Ato kontrata të cilat subjektet kanë vullnet për t’i lidhur që janë dakord edhe me tarifat e vendosura nga këshilli bashkiak të gjitha janë lidhur. Motivet e vërteta të kësaj ngjarjeje janë për motive politike dhe ne do të vazhdojmë proçedurat në prokurori”, është shprehur Ferdinand Banushi, përgjegjës i Zyrës së Parkimeve.

“Largimi është bërë për arsye politike. Vetëm se kemi marrë pjesë politikisht, unë për vete kam qenë në KQZ, anëtar KZAZ-je, numërues, gjithçka është politike. Jo vetëm që po na heqin nga puna, por ne jemi të rrezikuar çdo ditë. Na fyejnë, kemi frikë të dalim”, thotë Aurel Veizaj, specialist.

“Duket që shkarkimi im është komplet politik, kjo ndodh vetëm në Honolulu ose Somali, që nuk ka as shtet asgjë, mund të ndodh kjo gjë”, shprehet Florian Shima, shef i Zyrës së Kontrollit Tatimor.

Të larguarit nga puna thonë se shkresa e njoftimit për t’i larguar nga kjo Drejtori e Bashkisë, bie ndesh me Kodin e Punës që thotë se për ndërprerje të marrëdhënies, bëhet njoftim për çdo punonjës 3 muaj para.

Kontaktuar nga Top-Channel për këtë çështje zyra e shtypit pranë bashkisë thotë se:

Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës vendosi sot lirimin nga detyra të 51 inspektorëve, nisur nga performanca e ulët dhe favorizimi i informalitetit.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave ka analizuar punën 7-mujore të secilit prej inspektorëve dhe ka konstatuar se të liruarit nga detyra nuk kanë kryer detyrën, duke mos bërë kontrolle sipas ligjit, duke lejuar informalitet, deri në rritje të borxhit ndaj Bashkisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA