Luftë në vendlindjen e Gadafit

25/08/2011 12:35

Forcat besnike të Kolonelit Muamar Gadafi vazhdojnë të kenë nën kontroll qytetin e tij të lindjes, Sirte, si dhe të gjitha bazat kryesore në jug të Libisë.

NATO, përmes një deklarate, tha se ka goditur përreth Tripolit dhe Sirtes ku vuri në shënjestër objekte ushtarake. Ministri britanik i Mbrojtjes, Liam Fox, konfirmoi se Aleanca po ndihmon kryengritësit për të gjetur Muamar Gadafin.

Në kryeqytet ka ende xhepa rezistence. Vendndodhja e Muamar Gedafit nuk dihet ende, ka spekullime se mund të jetë strehuar pikërisht në Sirte, apo zëra të tjerë që thonë se ka përdorur tunelet në Tripoli për tu larguar fshehurazi nga qyteti.

Disa besojnë se nëse ai nuk kapet, fitorja nuk do të jetë e plotë. Mbijetesa e tij do të shërbejë si frymëzim për rezistencë të mëtejshme. Precedenti që frikëson zyrtarët është Iraku. Sadam Husein u fsheh për tetë muaj dhe besnikët e tij nisën të organizoheshin. Atyre iu bashkua dhe Al Kaeda apo grupe të tjera terroriste. Për analistët, Gadafi mbetet një figurë e paparashikuar dhe është përqendruar shpesh në pushtetin dhe mbijetesën e tij. Cfarë do të bëjë ai më pas, mbetet e paqartë, po njësoj siç është tani vendndodhja e tij.

Këshilli Kombetar i Tranzicionit vuri 1.7 milionë dollarë për kokën e tij dhe garantoi amnisti për bashkëpunëtorët e Gadafit që do ta gjejnë të gjallë apo të vdekur.

Në një zhvillim tjetër, pas lirimit të gazetarëve perëndimorë të bllokuar në hotelin Riksos, Ministria e Jashtme italiane, përmes një deklarate tha se katër reporterë, dy të “Corriere della Sera”, një i ‘Avenire’ dhe një tjetër i “La Stampa” janë kapur në Zauija nga besnikët e Gadafit, të cilët kanë vrarë shoferin që i shoqëronte. Ata aktualisht mbahen të izoluar në Tripoli.

Njëri prej katër gazetarëve i tha konsullatës në Bengazi se janë mbajtur në një apartament të Tripolit, një tjetër është lejuar t’i telefonojë gazetës në Itali për t’i thënë se është mirë. Kreu i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, Mahmud Xhibril, pritet të takojë kryeministrin italian, Silvio Berluskoni, të enjten në Milano.

Të mërkurën Xhibril u takua me presidentin francez Nikola Sarkozi, në Paris. Ky i fundit u zotua se operacionet ushtarake në Libi do të vazhdojnë nën mandatin e OKB-së për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.

Ndërkohë, të mërkurën në mbrëmje, Shtetet e Bashkuara i paraqitën një projekt/rezolutë Këshillit të Sigurimit të OKB-së përmes të cilës i kërkuan zhbllokimin e aseteve në vlerën e 1.5 miliardë dollarëve për nevoja humanitare.

Votimi i saj pritet të bëhet të enjten ose të premten.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA