Sot do të zhvillohen ndeshjet e dyta të raundit kualifikues të Champions League ku përballja më kryesore është ajo mes Udinezes dhe Arsenalit.
Skuadra e Vengerit ka fituar takimin e parë me rezultatin 1-0.
Gjithsesi në këtë ndeshje të dytë nuk do të jetë sërish trajneri Venger të cilit i është shtyer dënimi pas komunikimit që ka bërë në ndeshjen e parë ku gjithashtu ishte i dënuar.
Përveç mungesës së trajnerit në pankinë Arsenali nuk ka më lojtarë si Fabregas i cili debutoi tashmë me Barcelonën apo edhe Samir Nasri, i cili ka firmosur me Manchester Sitin e nuk ka udhëtuar për në Itali.
I vetmi lajm i mirë për topçinjtë është gatishmëria e Robin van Persit i cili ka shlyer pezullimin prej një ndeshjeje që e mbartëte që nga ndeshja me Barcelonën në edicionin e shkuar.
Ndërkohë paraqitja e tyre në kampionat nuk ka qenë aspak pozitive, me një barazim 0-0 në ndeshjen e parë me Njukastëllin dhe një humbje 2-0 me Liverpulin ditën e shtunë.
Ndërkohë Guidolin, trajneri i Udinezes është shprehur optimist dhe i gatshëm për t’u përballur me skuadrën angleze edhe pse ata janë favorit falë takimit të parë.
Sipas Guidolin, kjo është një ndeshje historike për të dhe për Udinezen e si e tillë duhet të përfitojnë për t’u kualifikuar duke parë edhe gjendjen jo të mirë të Arsenalit në këtë periudhë.
Takimet e tjera të mbrëmjes së sotme do të jenë Rubin-Lion, Plzenj-Kopenhagen, Shturm i Gracit-Bate Borisov dhe Benfika-Tvente.
Top Channel