Procesi i kthimit dhe kompensimit të pronës konsiderohet plaga më e
rëndë e shoqërisë shqiptare. Për vite të tëra, me qindra persona rendën
nëpër gjykata për të marrë pronën e tyre që shteti nuk ua kthen, duke u
përballur me burokraci dhe korrupsion në nivele të ndryshme.
Një raporti i detajuar i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulon raste të atyre personave të ‘aftë’ që kanë mundur të marrin lekët, por që në fakt nuk u takonte.
Gazeta “Shqip” disponon të plotë dosjen hetimore të KLSH-së, e cila i referohet inskenimeve të kryera në vitin 2010 për aktivitetin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës në vitet 2006-2009.
Në raport thuhet se kanë përfituar padrejtësisht shtatë persona në vlerën e rreth 17 milionë lekë, në Tiranë dhe Kavajë, aty ku vlera e tokës është e lartë nisur nga rëndësia (kryeqyteti dhe zona bregdetare). Në raport theksohet se kontrolli i dosjeve është bërë me zgjedhje, pra jo të gjitha rastet janë hetuar, duke nënkuptuar se numri i përfituesve në mënyrë abuzive mund të jetë shumë herë më i madh. Nga vëzhgimi i dosjeve, KLSH-ja ka mësuar se nuk është respektuar ligji i njëjtë për të gjithë, duke i kërkuar AKKP-së të marrë masat për zhdëmtimin e arkës së shtetit.
Nga kontrolli i dokumentacionit të subjekteve të shpronësuar për qytetin e Tiranës dhe rrethin e Kavajës, në zbatimi të VKM nr. 758, datë 16.11.2006, “Për miratimin e proceduarve të shpërndarjes së fondit të kompensimit në të holla, për vitin 2006”, u konstatua se me udhëzim nr. 283, datë 22.11.2006, drejtori i përgjithshëm ka përcaktuar rregullat dhe procedurat që do të ndiqen gjatë procesit të shpërndarjes së fondit të kompensimit në të holla për vitin 2006. KLSH-ja bën të ditur se më pas, Seksioni i Financës, me Urdhër pagesë nr. 562, datë 28.12.2006, ka kaluar në llogaritë personale të çdo subjekti fitues për kompensim financiar shumën 297 milionë lekë, me adresë të një banke të rëndësishme private.
“Nga kontrolli me zgjedhje i dokumentacionit u konstatua se për vitin 2006, në qytetin e Tiranës kanë aplikuar 251 subjekte të shpronësuara, janë shpallur fitues 36 subjekte, u konstatua se në 1 rast subjekti i shpronësuar ka përfituar padrejtësisht shumën 5.8 milionë lekë, që përbën dëm ekonomik”, – thekson raporti.
Ky është rasti i parë i zbuluar nga vëzhgimi rutinë i volumit të madh të dokumenteve, pasi më tej do të zbulohen të tjera shkelje. Inspektorët e KLSH-së konstatuan të meta dhe mangësi që ngarkojnë me përgjegjësi ish-drejtoren e përgjithshme, përgjegjësin e Sektorit të Vlerësimit, specialisten në Sektorin e Vlerësimit, dy specialistet e kompensimit, inxhinieren gjeodet, juristen, ish-drejtoren e AKKP-së, Qarku Tiranë, specialisten arkiviste AKKP, Qarku Tiranë, Përgjegjësen e Sektori në AKKP, Qarku Tiranë, specialisten në AKKP Qarku Tiranë.
Në Kavajë zbulohen të tjera raste me ndarje të fondit në mënyrë të padrejtë. Kështu, nga kontrolli me zgjedhje i dokumentacionit u konstatua se për vitin 2006, në rrethin Kavajë kanë aplikuar 53 subjekte të shpronësuar, janë shpallur fitues 23 subjekte. Gjatë kontrollit u konstatua se në 3 raste, subjektet e shpronësuara kanë përfituar padrejtësisht shumën 4.205.000 lekë, që përbën dëm ekonomik dhe nga kontrolli i dokumentacionit u konstatuan të meta dhe mangësi, që bien në kundërshtim me ligjin dhe vendimet e qeverisë.
Gjithashtu, KLSH-ja ka kryer kontroll edhe mbi vendimet e marra nga AKKP-ja për kompensimin në vlerë të tokës dhe dokumentacioni mbështetës për qarqet Tiranë, Dibër, Vlorë, Gjirokastër, Berat, Korçë dhe Lezhë për vitin 2007, fondi i të cilës ishte 500 milionë lekë. Edhe këtu kontrolli është bërë me zgjedhje, pra jo i plotë dhe sërish janë konstatuar shkelje akoma edhe më të rënda.
Për vitin 2007 aplikuan 471 subjekte të shpronësuara, u shpallën fitues 119 subjekte dhe u konstatua se në 3 raste subjektet e shpronësuara kanë përfituar padrejtësisht shumën 7.462.500 lekë, që sipas KLSH-së përbën dëm ekonomik.
Top Channel