Minatorët kërcënojnë sërish

21/08/2011 15:20

Minatorët grevistë të minierës së Bulqizës kërcënojnë për një konflikt të ri me firmën koncesionare ACR, nëse kjo e fundit do të tentojë të thyejë grevën dhe të rinisë punën në minierë.

Kreu i konfederatës së sindikatave të pavarura të Shqipërisë, Kolë Nikolla fajësoi direkt Ministrinë e Ekonomisë e cila përmes deklaratave të Repartit të Shpëtim të Minierave tentoi të përcajë minatorët e t’i nxjerrë ata nga ambientet e grevës.

Ky qendrim i shtetit sipas kreut të sindikalistëve tregoi më së miri suportin politik që qeveria i ka dhënë firmës koncesionare ACR.

Nikolla ka deklaruar se vendimi i gjykatës e ka cilësuar grevën e minatorëve të ligjshme dhe sipas ligjit, përsa kohë greva vazhdon, miniera nuk duhet të nisë punën.Nëse kjo ndodh, Nikolla ka paralajmëruar trazira të reja në qytetin minator të cilat mund të gjenerojnë situata të reja e të rrezikshme për minierën e minatorët.

Në fund të intervistës, kryetari i konfederatës i bën thirrje firmës koncesionare të minierës, ACR, të heqë dorë nga shantazhet dhe politikat përcarëse me minatorët, por të ulet menjëherë në bisedime me ta.

Ditën e hënë, minatorët grevistë dhe komuniteti i qytetit të Bulqizës do të protestojë para zyrave të firmës ACR deri sa ajo të zgjidhë përfundimisht konfliktin me minatorët e të zgjidhë të gjitha pikat e kërkesave të tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA