Jeni japonez arriti kuotën e vet më të lartë kundrejt dollarit amerikan që nga koha e Luftës së Dytë Botërore, çmimi i metalit të verdhë arriti një rekord të ri historik, ndërsa bondet dyvjeçare të qeverisë zvicerane u pranuan nga investitorët përkundrejt një interesi negativ.
Bondet dhjetëvjeçare amerikane u shitën për një interes prej më pak se 2 për qind për herë të parë në gjashtë dekada. Dollari kushton më pak se 76 jenë japonez. Onçi i arit u rrit në 1877 dollarë.
“Kjo është një situatë e ngjashme me Lizën në Botën e Çudirave”, komentoi Marc Chandler, një strateg i investimeve në SHBA. “Ne tani e kemi kaluar pasqyrën”, shtoi ai.
Bondet me interes negativ janë ato që shiten më shtrenjtë sesa vlera e tyre nominale plus interesi.
Investitorët duket se po bëjnë gjithçka t’u largohen investimeve të rrezikshme në euro, përfshirë edhe pranimin e një interesi negativ.
Rënia dramatike e interesave të bondeve të vendeve të mëdha si SHBA, Gjermani apo Britani e Madhe, ka bërë që investitorët të debatojnë nëse edhe këto vende po hyjnë në rrugën e Japonisë, e cila ka borxh shumë të lartë, interesa shumë të ulëta dhe stanjacion ekonomik që vijon prek vitesh.
Top Channel