U luajtën ndeshjet e para të eliminatoreve të fundit para fazës së grupeve të Ligës së Europës. Në këto ndeshje ra në sy humbja e Shalkes dhe e Romës dhe fitoret e thella të PSG, Totenhem dhe Lacios.
Roma u mund nga sllovakët e Slovan Bratisllavës me rezultatin 1-0, ndërsa Shalke 04 humbi në transfertë 2-0 përballë Helsinkit.
Ndërsa në ndeshjen e luajtur në Olimpiko, Lacio, ku luan tashmë edhe Lorik Cana, shkatërroi 6-0 Rabotnickin e Maqedonisë. PSG fitoi në transfertë 4-0 modestët e Differdanges nga Luksemburgu. Po me goleadë Totenhem fitoi në derbin britanik ndaj skocezëve të Hearts. Londinezët shënuan plot 5 gola.
Atletiko e Madrid fitoi 2-0 përballë Vitoria Guimaraesh dhe Hanover mposhti Seviljen 2-1.
Në datën 25 gusht luhen ndeshjet e kthimit që do të përcaktojnë edhe skuadrat që do të vijojnë rrugëtimin drejt trofeut të dytë më të rëndësishëm europian.
Top Channel