Mungesa e të ardhurave në buxhet për shkak të performancës së dobët nga ana e administratës tatimore ka bërë të mundur largimin e disa zyrtarëve të lartë të këtij institucioni.
Lëvizjet më të mëdha janë kryer në drejtorinë e taksapaguesve të mëdhenj, njësia që menaxhon taksat e bizneseve VIP, që drejtohet nga Jovan Cano, ku sipas gazetës ‘Shqip’, shkarkuar nga detyra drejtori i kontrollit dhe përgjegjësi i verifikimit në terren. Për këto ndryshime, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk ka dashur të bëjë komente, duke u mjaftuar vetëm me faktin e “lëvizjeve normale, rutinë”.
E vërteta është krejt tjetër, e cila lidhet tërësisht me paaftësinë e mbledhjes së taksave, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një minus me të paktën 50 milionë dollarë në 6-mujorin e parë të këtij viti.
Kriza ekonomike te bizneset ka ndikuar edhe në rezultatet e punës së administratës tatimore, e cila në dy vitet e fundit nuk ka paraqitur rezultate pozitive, sipas planit të vendosur nga Ministria e Financave. Problem vijon të mbetet taksa e TVSH-së, e cila si 6-mujor rezulton me humbje gati 100 milionë dollarë, gjithnjë referuar me planin.
Performanca e dobët në administratën tatimore ka prekur edhe të tjerë zyrtarë, në nivele edhe më të larta drejtuese. Kështu, në krye të tatimeve për rajonin e Tiranës është emëruar Sajmir Muçaj, i cili mbante postin e shefit të kontrollit në këtë drejtori. Brenda këtij institucioni ka pasur lëvizje edhe në sektorët e verifikimit dhe kontrollit tatimor, departamente kyçe për mbarëvajtjen e punës dhe ecurinë e arkëtimeve.
Lëvizjet në administratën e lartë tatimore janë kryer kësaj here vetëm në nivel shefash sektori dhe drejtorie, duke shpëtuar ‘kokat’ e të mëdhenjve, pavarësisht se përgjegjësia bie direkt tek eprorët.
Referuar statistikave të Ministrisë së Financave, administrata tatimore deri në muajin qershor të këtij viti ka mundur të mbledhë në total rreth 77.7 miliardë lekë, nga 84.3 miliardë lekë që ishte plani i ministrisë, ose 7.8 për qind më pak. Duke i analizuar në bazë të taksave, performanca më e dobët paraqitet te TVSH-ja, e cila po gërryen buxhetin e shtetit, me 30 për qind më pak të ardhura, e ndjekur nga akciza me 9 për qind më pak arkëtime, gjithnjë si 6-mujor, në raport me planin.
Top Channel