Sikurse edhe në zgjedhjet e shkuara raporti OSBE-ODIHR-it po lexohet
duke u interpretuar në mënyra të ndryshme nga forcat politike.
Vetëm 30 minuta pasi raporti u publikua në faqen online të ODIHR-it, me urgjencë zyra e shtypit e kryeministrit organizoi një konferencë për mediat.Pasi i ka kaluar një sy të shpejtë ose ka patur informacion në advancë se cfarë përmbante raporti zoti Berisha ka dalë përpara kamerave. Vetëm dy fjalë pikërisht ato “kompetitive” dhe “transparante” do të ndërtonin boshtin e deklaratës së zotit Berisha i akuzuar nga opozita se grabiti në tavolinë mandatin e Tiranës.
“Raporti, me një kthjelltësi të kristaltë, i vlerëson zgjedhjet vendore të majit në Shqipëri si zgjedhje kompetitive, si zgjedhje transparente dhe si zgjedhje, aspektet pozitive të të cilave kanë hedhur bazat e progresit të ardhshëm”, tha Berisha.
Ndryshe nga dalja e menjëhershme e zotit Berisha, lideri opozitës Edi Rama ka preferuar mos t’i drejtohet kamerave për të përcjellë komentet rreth raportit.Fillimisht vlerësimet për raportin nga selia rozë janë bërë nga deputeti Sajmir Tahiri mesditën e të martës.
“OSBE-ODIHR ngeli në klasë Sali Berishën. Raporti i djeshëm përbën certifikatën e dështimit spektakolar të qeverisë për t’i dhënë qytetarëve dhe vendit zgjedhje të lira e të ndershme, në përputhje me standardet më minimale demokratike të pranuara nga bota e qytetëruar. Aq më keq, raporti e thotë qartë se rezultati për Tiranën, nuk bazohet në ligj, por në vendime të KQZ dhe Kolegjit kontradiktore, të pambështetura në ligj, dhe politikisht të motivuara”, tha Tahiri, një ditë më parë.
Rama nuk është shpejtuar të komentojë raportin packa se konstatimet e ODIHR dukeshin në favorin e tij.Në një letër të gjatë të shkruar me kujdes zoti Rama analizon raportin duke anoncuar edhe piketat e aksionit politik të opozitës.
Letra i është dërguar redaksive të medias së shkruar.“Raporti i ODIHR-it s’ka qenë asnjëherë më i qartë dhe i drejtpërdrejtë”. Kështu e nis letrën Edi Rama për të cilin raporti ODIHR-it nxorri me objektivitet në pah gjatë gjithë procesit, dhe i vuri në fund kapakun vjedhjeve duke folur për një progres të paqenë e për mungesë provash për manipulime”.
Dushi i ftohtë që raporti i bëntë KQZ-në dhe Kolegjit Zgjedhor, për zotin Rama, do të thotë se me këtë KQZ dhe këtë Kolegj Zgjedhor s’mund të bëhen më zgjedhje në Shqipëri. Sikundërse zgjedhjet nuk mund të bëhen as me këto lista, që votën e emigrantëve ia lënë në dorë pushtetit për ta përdorur në interes të tij.
“Këtë nuk e themi më vetëm ne, opozita e dëmtuar rëndë nga veprimtaria brutale e këtyre dy institucioneve, shkruan Rama po e thotë shkoqur arbitri ndërkombëtar”, shkruan Rama.
Edi Rama përmes kësaj letre lë të kuptohet se i ka mirëkuptuar të gjithë ata të cilët kohët e fundit janë shprehur për domosdoshmërinë e një opozite më agresive. Por zoti Rama shprehet se “nuk kam asnjë pendesë për qasjen tonë paqësore ndaj procesit, për rrugën ligjore që ndoqëm deri në fund, për mosnxitjen e dhunës kur një dorë zullumqarësh të veshur me toga të zeza vulosën me vendim gjykate grabitjen e dhunshme të mandatit tonë për Tiranën. Ashtu siç nuk kam asnjë dyshim në domosdoshmërinë e kursit tonë të ri politik, të betejës sonë parlamentare për të reformuar Kodin Zgjedhor bazuar mbi të gjitha konstatimet e rekomandimet e raportit të ODIHR-it, të shtimit të rrugëve e të intensitetit të komunikimit me qytetarët për hallet e mëdha të vendit, të nevojës për t’u dhënë shqiptarëve një alternativë të qartë qeverisëse”.
Pavarsisht leximit ndryshe nga palët e raportit një gjë është qartë, hartusit e tij e kanë patur, në rastin më të mirë, të vështirë që pjesë përbërëve në 36 faqet e raportit të permendej edhe fjala standard.
Top Channel