Situata e vështirë në të cilën ndodhet Partizani dhe qorrsokaku ku klubi
është futur prej disa vitesh, dje ka arritur pikën kulmore.
Tifozët e kuq kanë rrahur presidentin Albert Xhani, njeriun e kontestuar, të cilin e akuzojnë si shkaktarin e rënies së skuadrës në Kategorinë e Dytë (kategoria e tretë). Gjithçka ka ndodhur përpara zyrave të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Emri legjendar vazhdon agoninë, ndërsa sezoni i kaluar shkroi faqen më të errët të historisë së klubit, me Partizanin që është detyruar të luajë mes ekipeve amatore.
Në prag të sezonit të ri, skuadra nuk ka terrene për t’u stërvitur, madje as futbollistë për të marrë pjesë normalisht në kampionat.
Fakti që lojtarët nuk paguhen prej vitesh, ka bërë që ekipi kryeqytetas të humbasë kredibilitetin dhe të mos jetë më një piacë e preferuar. në situatën e krijuar, Ministria e Mbrojtjes ka vendosur të ndërhyjë, për të rimarrë klubin që është pronë e saj. Xhani ka marrë stemën e klubit në përdorim (jozyrtarisht flitet për një kontratë që skadon në vitin 2013), por menaxhimi i tij dhe qëndrimi larg skuadrës në muajt e fundit e kanë bindur dikasterin e drejtuar nga Arben Imami që të ndërhyjë për t’u rikthyer lavdinë të kuqve. Ministria e Mbrojtjes ka kërkuar zyrtarisht në FSHF që të njihet si pronare e Partizanit, ndërsa kërkesës i është bashkangjitur një projekt për ringritjen sportive të klubit.
Aty parashikohet një kompleks sportiv me terrene të përshtatshme stërvitore si edhe kalimi i klubit në një formë juridike (privatizimi) të pranuar nga federata dhe nga FIFA e UEFA. Në mbledhjen e të premtes që kaloi, Komiteti Ekzekutiv në FSHF vendosi që për këtë çështje të kërkonte një mendim juridik të specializuar, në mënyrë që vendimi i cili do të merret të jetë i qëndrueshëm për të ardhmen.
Top Channel