Kampionati në kaos

16/08/2011 12:45

Mosplotësimi i dokumentacioneve për licencimet e klubeve shkakton kaosin
e kampionatit shqiptar të futbollit. Tashmë është zyrtare: shtyhet
hedhja e shortit për kalendarin dhe për pasojë edhe fillimi i sezonit të
ri 2011-2012, i cili është programuar të nisë më 24 gusht.

Licencimet janë kthyer në një çështje penguese në prag të nisjes së sezonit të ri. Pjesa dërmuese e klubeve, mes tyre edhe emra të mëdhenj të futbollit tonë, si Tirana, Vllaznia, Flamurtari, Teuta etj., kanë ende probleme në këtë drejtim.

Sikurse është mësuar dje në Federatën Shqiptare të Futbollit, të gjithë emrat e lartpërmendur nuk i plotësojnë kriteret për asnjë prej tri formulave të licencimit të klubeve. Në orët e pasdites së djeshme, në FSHF-ë nisi puna për shqyrtimin e dokumentacionit për licencimin nga ana e Komisionit të Licencimeve, dhe në orët e mbrëmjes FSHF deklaroi dështimin zyrtar.

Gjithçka u njoftua nëpërmjet një komunikate për shtyp. Në disa shkresa, herë pas here dhe në shumë takime pune, FSHF i kishte njohur klubet me kriteret që duhet të plotësonin për pjesëmarrje në veprimtaritë e sezonit 2011-2012. Pas analizimit të dokumentacionit nga ana e Komisionit të Licencimit u vendos të licencohen për Kategorinë Superiore vetëm 5 klube nga 14 në total: Skënderbeu, Dinamo, Apolonia, Laçi, Pogradeci. Ndërsa nga Kategoria I vetëm 6 klubet: Ada, Besëlidhja, Elbasani, Besa, Himara, Adriatiku Mamurras. “Aplikimet e klubeve të tjera, të cilat sipas rezultateve sportive ishin klasifikuar që të merrnin pjesë respektivisht në kampionatet kombëtare të Kategorisë Superiore dhe të Kategorisë se Parë, u vlerësuan jo në përputhje me kriteret e përcaktuara nga Rregullorja e Licencimit të FSHF-së dhe kërkesat e FIFA-s dhe UEFA-s”, theksonte dje deklarata e FSHF-së.

Për sa u përket stadiumeve, për mosplotësim të standardeve minimale të infrastrukturës, Komisioni refuzoi kërkesën për licencim për tre stadiumet të skuadrave që duhet të militojnë në Kategorinë Superiore: “Kastrioti” i Krujës (Kastrioti), “Avdush Muçaj” i Ballshit (Bylis) stadiumi i Kamzës. Ndërsa për sa i përket Kategorisë së Parë ok nuk e kanë marrë stadiumi i Mamurrasit, “Iliria” i Fushë-Krujës, “Përparimi” i Kukësit, “Ada” i Velipojës dhe ai i Himarës, “Liri Ballabani” i Burrelit. “Bazuar në vendimet e sotme të Komisionit të Licencimit, Sektori i Garave në FSHF vendosi anulimin dhe shtyrjen për një afat të pacaktuar të shortit për kampionatet e Kategorisë Superiore dhe të Kategorisë së Parë, i cili ishte parashikuar të hidhej në Tiranë sot”, sqaronte më tej komunikata. Tashmë gjithçka mbetet në dorën e Komitetit Ekzekutiv, i cili do të zhvillojë një mbledhje të jashtëzakonshme sot për të analizuar situatën dhe për të marrë vendimet përkatëse.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA