Dikur një nga zonat më të varfëra, sot fshatrat përreth komunës Nikël,
në aksin rrugor Tiranë- Fushë Krujë janë shndërruar në qendrën e
industrisë shqiptare të mobiljeve.
Anës rrugës nacionale janë perqendruar si askund tjeter disa qindra punishte mobiljesh dhe gjithë kjo zonë në dalje të kryeqytetit e ka lidhur jetën me këtë biznes.
Edhe pozicioni gjeografik duket se e favorizon përqendrimin e industrisë në këtë zonë. Dikur nevojat e tregut vendas për mobilje mbuloheshin nga importi. Sot industria e mobiljeve është një nga rastet e suksesit, kur investimet vendase jo vetëm që kanë zëvendësuar importin, por madje po krijojnë hapsira për eksporte.
Hovi i madh i industrisë ishte pas vitit 1998. Prodhuesit thonë se për vite kanë siguruar fitime në një treg që ishte ende i pangopur me këto produkte. Por dy vitet e fundit kriza nuk ka kursyer as biznesin e mobiljeve, i cili është i lidhur ngushtë me atë të ndërtimit.
Edhe pse mungojnë të dhënat e sakta ekspertët thonë se tregu i mobiljeve gjeneron dhjetëra milionë euro të ardhura në vit dhe punëson me mijëra vetë.
Top Channel