Real dhe Barcelona dhurojnë spektakël

15/08/2011 08:25

Real Madrid dhe Barcelona kanë barazuar 2-2 në ndeshjen e parë të Superkupës së Spanjës në një takim që i ka pasur të gjitha: gola të mrekullueshëm, spektakël, tension dhe polemika.

Real Madrid ishte superior ndaj një Barcelone me titullarë në stol (Pique, Busquets, Xavi) dhe të tjerë të dëmtuar (Puyol). Ozil shënoi golin e parë për madrilenët në minutën e 13-të, por në momentin që dukej se katalanasit ishin në vështirësi, David Villa (36’) dhe Leo Messi (45’) shënojnë dy gola fantastikë duke përmbysur rezultatin në favor të ekipit blaugrana.

Me fillimin e pjesës së dytë janë madrilenët të cilët kanë sërish kontrollin e lojës dhe rastet më të pastra për shënim. Në minutën 54’ vjen goli i barazimit me anë të Xabi Alonso.

Arbitri i ndeshjes nuk akordoi nga një penallti për secilin ekip në pjesën e dytë pas ndërhyrjeve në zonë të Valdes ndaj Cristiano Ronaldo dhe Marcelo ndaj Pedros.

Gjithashtu, si në Klasiket e fundit, tensioni mes lojtarëve ishte i pranishëm pas ndërhyrjeve të rënda dhe të shpeshta të lojtarëve të Real Madrid (Pepe dhe Khedira) ndaj katalanasve.

Ndeshja e kthimit, ku do të mësohet fituesi i trofeut të parë sezonal në Spanjë, do të luhet të mërkurën në orën 23.00.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA