Qeveria reduktoi shpenzimet antipërmbytje

15/08/2011 10:30

Shqipëria rrezikon të jetë më pak e përgatitur përballë përmbytjeve në
vjeshtën e ardhshme, për shkak se një pjesë e shpenzimeve për
mirëmbajtjen e infrastrukturës së kullimit dhe vaditjeve janë anuluar si
pasojë e krizës në të ardhura.

Të dhënat e detajuara të buxhetit të rishikuar të qeverisë, të cilat u publikuan së fundmi, vënë në dukje se shpenzimet për kullim e vaditje ishin planifikuar në masën 3.76 miliardë lekë (rreth 27 milionë euro) në fillim të vitit, por u shkurtuan në 2.67 miliardë lekë ose 40 për qind më pak.

Mungesa e investimeve në infrastrukturën e kullimit është parë shpesh si një nga shkaqet e përmbytjeve që kanë ndodhur në Shqipëri vitet e fundit, duke shkaktuar miliona euro dëme në prodhimet bujqësore dhe në pronat e banorëve të zonave rurale. Zakonisht, sipas “Shqip”, qeveria është kujtuar të kryejë shpenzime mirëmbajtjeje vetëm në rastet kur argjinaturat janë çarë, duke shkaktuar më shumë dëme se sa është kostoja e mirëmbajtjes së zakonshme të këtyre objekteve.

Shkurtime edhe te rrugët

Qeveria ka vendosur të shkurtojë edhe shpenzimet për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar nga 1.8 miliardë lekë në 1.5 miliardë ose 16 për qind më pak se sa planifikimi i fillimvitit.

Rrjeti i rrugëve kombëtare kërkon disa dhjetëra milionë euro çdo vit shpenzime mirëmbajtjeje, për të shmangur degradimin, por buxheti i shtetit nuk ka akorduar kurrë paratë e nevojshme, pasi ka qenë i përqendruar më shumë në ndërtimin e rrugëve të reja, të cilat rrezikojnë gjithashtu të mbeten pa mirëmbajtje.

Qeveria shqiptare shkurtoi shpenzimet e programuara në masën 4.5 për qind në korrik të këtij viti, pasi u pa se të ardhurat e buxhetit qenë shumë më të dobëta nga sa pritej. Ky është viti i katërt radhazi që qeveria dështon në parashikimin e situatës ekonomike, gjë që e ka detyruar të kryejë shkurtime të ngutshme në mes të vitit.

Shkurtimet shpesh kanë efekte anësore, pasi prekin punime të domosdoshme apo shpenzime jetësore dhe problemet që shkaktojnë, bëhen edhe më të kushtueshme se sa paratë e kursyera. Këtë vit, spitalet mbetën pa ilaçe, policia raporton se i mungon nafta për të patrulluar, ndërsa rrugët kombëtare dhe kanalet e kullimit nuk do të mirëmbahen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA