Sfida e radhës: Franca!

13/08/2011 12:00

Fitorja 3-2 kundër Malit të Zi i ka shërbyer Kombëtares shqiptare për të
rritur moralin në kuadër të dy sfidave kualifikuese në Euro 2012 me
Francën (më 2 shtator) dhe Luksemburgun (më 6 shtator).

Skuadra e drejtuar nga Josip Kuzhe ndodhet në vendin e pestë në Grupin D, megjithatë nuk është matematikisht jashtë garës. Me 8 pikë të grumbulluara në 6 ndeshje, kuqezinjtë kanë vetëm 5 pikë diferencë nga Franca kryesuese. Përballja me “gjelat” e Loren Blank në “Qemal Stafa” është shansi i fundit për të gjithë kombin që të vazhdojë të ëndërrojë dhe skuadrën që të luftojë deri në fund në këtë edicion.

Faqja zyrtare e UEFA-s ka bërë një krahasim të statistikave ndërmjet përfaqësueses tonë dhe Francës, ndërsa theksonte se Shqipëria synon të kapë në befasi rivalët prestigjiozë, të cilët janë edhe favoritët e grupit. Në duelin që do të zhvillohet pas tri javëve, kuqezinjtë paraqiten të pamposhtur në shtëpi: ata kanë regjistruar dy fitore (Luksemburgun dhe Bjellorusinë) dhe një barazim (Bosnjë-Hercegovinën).

Në anën tjetër, transalpinët kanë të njëjtën ecuri në sfidat e luajtura jashtë fushe në Euro 2012. Takimi i 2 shtatorit është përballja e tretë historike ndërmjet dy Kombëtareve. Më parë, Franca dhe Shqipëria kanë luajtur në kualifikueset e Euro 1992. Trajneri Blank ka qenë titullar në të dyja ato ndeshje, ku më 17 nëntor 1990 blutë fituan 1-0 në Tiranë me golin e Basile Bolit, ndërsa në takimin e kthimit në Paris kuqezinjtë u shpartalluan me rezultatin 5-0.

As trajneri Kuzhe nuk ka kujtime të mira nga përballjet me ekipet franceze. Në sezonin 1989-’90 në Kupën UEFA, kur drejtonte Dinamon e Zagrebit, ai fitoi 1-0 ndeshjen e parë në fushën e Okserit, por humbi 1-3 sfidën e kthimit në Kroaci. Tekniku 58-vjeçar ka humbur edhe në përballjen e dytë me Okserin në sezonin 2006-’07 të Kupës UEFA: disfatë 2-1 në shtëpi dhe 3-1 jashtë fushe.

Edhe pse vëmendja e Shqipërisë është e përqendruar maksimalisht te ndeshja me Francën, absolutisht nuk duhet anashkaluar takimi i katër ditëve më pas me Luksemburgun. Kuqezinjtë vuajtën në sfidën e 7 shtatorit 2010, ku fituan me rezultatin e ngushtë 1-0 në Tiranë. Skuadra modeste, me të cilën në katër përballje historike Kombëtarja ka fituar në tre raste dhe barazuar një herë, është një shans për të grumbulluar sa më shumë pikë në grup. Ndërkohë, Luksemburgu kërkon të shënojë golin e parë në portën shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA