
Gjallëri e madhe në urën Sandkrugbrücke të Berlinit. Mijëra makina
kalojnë në këtë urë mbi kanalin e lundrueshëm Berlin – Spandau.
Në krah të lumit Spree, në sfond duket stacioni i ri i trenit. Këtu ka qenë pika kalimtare e kufirit në Rrugën Invalidenstraße. Disa qindra metra larg kësaj pike, humbi jetën më 24 gusht 1961, 24 vjeçari Günter Litfin nga lagjia Weißensee e Berlinit lindor.
Një gur përkujtimor që nuk bie në sy kujton fatin e të riut, që ishte viktima e parë e marrë në shënjestër nga ushtarët që ruanin murin. 14 ditë më parë pushtetmbajtësit e RDGJ kishin filluar të rrethonin Berlinin perëndimor. Punimet për ndërtimin e tij u bënë me ndërgjegjen e lartë gjermane.
Muajt e parë pas ndërtimit të murit, shumë vetë arritën të shkonin në perëndim nëpërmjet një tuneli të fshehur. Senati i Berlinit perëndimor përpiqej të ndikonte mbi lindjen nëpërmjet fuqisë të fjalëve: “Këtu flet “Studio me tela me gjemba” këtu flet “Studio me tela me gjemba.”
Lufta në ajër zhvillohej direkt tek Muri i Berlinit. Zëri i kryetarit të Bashkisë Willy Brandt, dëgjohej deri në thellësi të Berlinit lindor: “Mos lejoni t`ju bëjnë lecka! Tregoni sjellje njerëzore. Kudo ku të jetë e mundur! Por kryesore është të mos qëlloni mbi bashkatdhetarët! Të gjithë do të gjykohen një ditë për sjelljen e sotme.”
Profecia e Willy Brandt u përmbush mbas rënies së Murit, megjithëse jo ashtu siç e prisnin viktimat e shumta dhe të afërmit e tyre. Në proceset e Murit, pati shumë ushtarë të kufirit që dolën në bankën e të akuzuarve por shumica e tyre u lirua me kusht. Edhe ai që në shkurt 1989, pati qëlluar mbi 20 vjeçarin, Chris Gueffroy. Ai ishte viktima e fundit që u vra shtatë muaj para rënies së Murit. Emri i tij është shkruar po ashtu si emri i Günter Litfin-it në kryqet e bardha të vendosura në breg të Lumit Spree, direkt krah ndërtesës së parlamentit.
Top Channel