Halimi: Të arrestuarit shtëpiak do të ruhen me GPS

13/08/2011 12:00

“Të dënuarit  që janë me arrest shtëpie nuk do të ruhen nga prezenca e
uniformave blu, por do të ruhen me sistem dixhital, një pajisje e cila
do të vendoset në trupin e personit dhe do të identifikojë me GPS në një
distancë të vogël vendndodhjen e tyre, duke garantuar nga njëra anë
ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe nga ana tjetër sigurinë publike”.

Kjo ka qenë kryefjala e ministrit të Drejtësisë, Eduart Halimi, mesditën e së premtes, teksa ai inspektoi punimet që po kryhen në ndërtimin e dhomave të paraburgimit në Elbasan. Ministri Halimi ka garantuar se brenda një harku të shkurtër kohor do të nisë zbatimi i projektit të dixhitalizimit.

Po kështu, kreu i ministrisë së linjës, sqaron se jo të gjithë të dënuarit duhet të kryejnë dënimet duke u ndjekur nga policë nga pas dhe për të shmangur këtë do të nisë projekti i monitorimit të akuzuarit me anë të sistemit të dixhitalizimt i cili është projekti i mbikëqyrjes elektronike të atyre të dënuarve të cilët nuk kanë rrezikshmëri shoqërore.

“Këta njerëz edhe pse nuk do të jenë në këto mure të trasha, do të kenë garanci të gjithë qytetarët, sepse në çdo moment që ato do të tentojnë të kryejnë një vepër do të jenë të survejuar në mënyrë elektronike. Projekti i dixhitalizimit do të jetë një nga reformat më të shpejta të Ministrisë së Drejtësisë, e cila do të sjellë sigurinë e publikut, do të ketë uljen e nivelit të korrupsionit edhe për sistemin e burgjeve edhe për sistemin gjyqësor”, ka vijuar Halimi. Sipas tij, personat që do të zgjedhin dënimin në arrest shtëpie, që do të marrin leje, që do të jenë në lirim parakusht, të gjithë personat që kryejnë sistemin e gjysmëlirisë, gjatë gjithë kohës do të jenë të lirë e të aftë të integrohen në shoqëri, por do të jenë të monitoruar 24 në 24 orë, nëpërmjet një sistemi dixhital.

“Kjo reformë në sistemin e drejtësisë do të sjellë një impakt pozitiv në shumë drejtime. Kostoja e buxhetit të shtetit do të jetë më e ulët në këto kushte, ndërsa siguria publike do të jetë më e madhe, pasi personat që do të jenë në fazën e gjysmëlirisë do të riintegrohen në shoqëri”, deklaroi kreu i dikasterit të Drejtësisë. Duke u kthyer edhe një herë te rëndësia e objektit që po ndërtohet ministri i Drejtësisë tha se ai është një institucion i rëndësishëm për sigurinë publike, e cila është një ndër prioritetet kryesore të kësaj ministrie. Burimet bëjnë të ditur se objekti në fjalë kap vlerën e 4 milionë euro dhe është një investim i përbashkët mes Komisionit Europian dhe qeverisë shqiptare. Sipas ministrit, investimi është mjaft serioz dhe godinat përmbushin standardet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA