Serbët kanë qëndruar edhe natën e kaluar pranë barrikadës në Rudare afër
Zvecanit, ndërsa kanë vëzhguar edhe të gjitha pikat tjera, sidomos ato
që të cojnë në drejtim të Jarinjës.

Sipas Kosovapress, situata gjatë natës ka qenë e qetë, ndërsa serbët janë vigjilentë nëpër barrikada duke mos dhënë asnjë sinjal për lirimin e rrugës.

“Automjetet e misioneve ndërkombëtare qarkullojnë lirshëm nëpër të gjitha rrugët në veri, përveçse në Rudare ku është i vendosur kryqi në mes të rrugës”, thonë mediat kosovare.

Humbjet e Beogradit nga embargo

Bllokada ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ndikoje që të humben gjysmë miliardi euro vetëm nga ana e Serbisë. Ndërkaq efekti për bizneset tregtuese të Kosovës ende nuk dihet.

Zyrtarët serbë kanë vlerësuar se kriza nuk mund të ndikoje shumë në ekonominë e vendit, megjithëse është pritur zhbllokimi më i hershëm i mallrave. Një nga temat që pritet të diskutohen me 5 shtator në takimin e grupeve të bisedimeve është edhe problemi i tregtisë. 

Stefanovic: Kriza u kapërcye

Kriza në veri të Kosovës është tejkaluar. Borko Stefanovic, kryenegociatori i Serbisë në bisedimet me Kosovën beson se zgjidhja e problemit do të diskutohet në Bruksel, megjithëse thotë se nuk do të lejohet vendosja e institucioneve të Kosovës në veri dhe se Serbia nuk mund të dëbohet nga Kosova.

Zyrtarët serbë besojnë se trazirat e fundit në veri nuk do të ndikojnë në bisedime, por madje edhe do t’i përshpejtojnë këto bisedime. Stefanovic ka thënë në një deklaratë se shpreson që do të zgjidhet problem i vulave doganore.

Top Channel