
Një aksident tragjik hekurudhor në Poloninë qendrore, ka tronditur mbarë vendin.
Një tren pasagjerësh, i nisur nga Varshava për në Katovicë, ka dalë nga shinat e është përmbysur duke marrë jetën e katër pasagjerëve e duke plagosur më shumë se 20 të tjerë.
Nuk dihet me saktësi çfarë e shkaktoi aksidentin e rëndë. Sipas punonjësve të shpëtimit dhe zjarrfikësve në vendngjarje që kanë nxjerrë me shumë mundim një numër njerëzish nga vagonët e përmbysur, bilanci i viktimave mund të rëndohet akoma më tej.
Në bordin e trenit mendohet të kenë qenë rreth 300 persona. Vetë drejtuesi i tij është në mesin e të mbijetuarve.
Disa nga pasagjerët rrëfyen për mediat vendase se kishin dëgjuar një zhurmë të fuqishme.
Vagoni i parë ishte shkatërruar krejtësisht, ndërsa tre të tjerët ishin anuar.
Treni nuk duket të ketë goditur ndonjë objekt në rrugën e tij, por nga dëshmitë e disa të mbijeturave rezulton se ai ka nisur befas të ngadalësojë e më pas ka dalë nga shinat.
Top Channel