Kreditë e këqija shpejtojnë rritjen në qershor

12/08/2011 08:20

Numri i kompanive dhe individëve që nuk janë në gjendje të përballojnë
detyrimet e tyre mujore kundrejt bankave për kreditë e marra gjatë
viteve të shkuara, vijoi të rritet në muajin qershor, me ritëm rritjeje
edhe më të lartë se në muajt e mëparshëm, bëhet e ditur nga statistikat e
publikuara nga Shoqata e Bankave.

Në fund të qershorit, 17 për qind e totalit të kredive të dhëna kanë vonesa në shlyerje të kësteve me gjashtë muaj, ndërsa në maj, kreditë e këqija qenë 15.6 për qind e portofolit. Portofoli i kredive në qershor ishte 523 miliardë lekë, (rreth 3.74 miliardë euro).


Por më shqetësues se sa niveli i kredive të këqija duket se është norma e rritjes së këtyre kredive. Që kur kriza botërore filloi në fund të vitit 2008, kreditë e këqija janë rritur me mesatarisht 3.3 për qind nga muaji në muaj. Por në qershor, kreditë e këqija u rritën me 9 për qind, norma më e lartë e shënuar që prej janarit 2010.

Ecuria e kredive të këqija është edhe tregues indirekt i ecurisë së përgjithshme të biznesit dhe aktivitetit ekonomik. Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, kur paniku mes popullatës solli rënie të fortë të konsumit, kreditë e këqija u rritën shumë pak. Por në prill, maj dhe qershor, ritmi i rritjes u shtua me shpejtësi.


Kreditë e këqija filluan të rriten me shpejtësi duke gllabëruar fitimet e zakonshme të bankave që nga fillimi i vitit 2009. Në janar 2009, ato qenë 6.8 për qind e totalit të portofolit, por u rritën në 11.6 për qind një vit më vonë dhe në 14.5 për qind në janar të këtij viti.


Përveç rritjes së kredive të këqija, bankat aktualisht po përballen edhe në vështirësi në ekzekutimin e kolateraleve, ndërsa praktikat e tyre të kreditimit po rezultojnë gjithnjë e më shumë defektoze. Pronat e konfiskuara dhe të nxjerra në shitje nga bankat si pasojë e mosshlyerjes së kredive, tregojnë se gjatë viteve të shkuara, janë pranuar për kolateral prona periferike, të cilat ndonëse kanë vlerë nominale të lartë, rezultojnë shumë të vështira për t’u shitur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA