Kinema dhe shije ballkanike në Pogradec

12/08/2011 08:55

Filma, shije dhe kulturë ballkanike gjatë një jave në Pogradec. Ky qytet
do të presë të parin edicion të Festivalit të Filmit Ballkanik dhe
Kulinarisë që organizohet nga data 29 gusht deri më 4 shtator.

Kinemaja e qytetit do të jetë e hapur, falas për të gjithë ata që duan të njohin më shumë fqinjët përmes artit të shtatë. Ky festival vjen si konkretizim i idesë që lindi muaj më parë mes regjisorit Eno Milkani dhe gazetarit Fatos Baxhaku.

“Para një viti kam qenë i ftuar në një festival të ngjashëm në Rumani. Ishte shumë i vogël, intim dhe në fund nuk u ndanë as çmime. Shërbeu si një takim i njerëzve të filmit nga vende të ndryshme të Ballkanit, ku për një javë u gjendën bashkë buzë lumit Danub 400 kilometra larg Bukureshtit. Mes shfaqjeve të filmave prezantoheshin gatime tradicionale të këtyre shteteve. Kur u ktheva, u tregova miqve të mi për këtë aktivitet duke menduar se do të ishte mirë që një i tillë të organizohej edhe në Shqipëri. Duke e zhvilluar idenë, besuam se një vend më të mirë se Pogradeci nuk mund të kishte me liqenin afër. Meqenëse me Fatos Baxhakun do të realizonim një dokumentar në Pogradec, folëm me kryetarin e bashkisë, Artan Shkëmbi, të cilit i pëlqeu kjo ide dhe e mendoi të realizueshëm këtë festival. Kjo na ngacmoi t’i viheshim më tej punës, të hartonim një program, të ftonim të njohur, por edhe të tjerë për të qenë në juri e në këtë mënyrë, për të njohur më mirë njëri-tjetrin”, thotë Eno Milkani.

Në fakt është një program me mbi 60 filma të shkurtër dhe artistikë nga nëntë vende si Shqipëria, Kosova, Bullgaria, Rumania, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia, Serbia, Greqia. President i festivalit, Esad Musliu.

Milkani tregon se krijuan kontakte me ambasadat, në mënyrë që çdo shtet të sillte produktin e tij më të mirë për t’u përfaqësuar, por duke qenë se një pjesë e ambasadave nuk janë përgjigjur, paketat e filmave janë përzgjedhur përmes njohjeve dhe kontakteve personale.

Eno tregon se ambasada kroate është treguar shumë e gatshme për këtë aktivitet, duke u lidhur me Qendrën e Filmit, të cilët dërguan kopje të filmave origjinalë. “Tashmë është kompletuar harta ballkanike e filmave. Çdo ditë do të ketë shfaqje të një shteti ballkanik ose të dy shteteve bashkë. Janë filma interesantë që përfaqësojnë kulturën e vendit nga vijnë. Ky ka qenë një nga kriteret e vendosura kur kërkuam një paketë filmash për çdo vend. Festivali nuk merr përsipër të ndryshojë kursin e historisë, por të njohim më mirë njëri-tjetrin”, shprehet Milkani. Mes filmave që do të shfaqen do të ketë eksperimentalë, dokumentarë, të animuar, por edhe artistik.

Ceremonia e çeljes do të organizohet mbrëmjen e datës 29 gusht, me projeksionin e filmit “Maya” të regjisorit Pluton Vasi. Në konkurrim, përveç disa filmave të shkurtër, nga Shqipëria është zgjedhur “Amnistia” i regjisorit Bujar Alimani, një film që i vendos ngjarjet mes Pogradecit dhe Tiranës.

Sipas Milkanit, programi parashikon edhe filma të tjerë që sjellin histori shqiptare, siç është “Përtej liqenit” i regjisorit Antonio Mitrikeski, i cili e merr fillin nga një dashuri mes një maqedonasi dhe një shqiptareje, një lidhje që do të pasojë shumë peripeci, apo filma të tjerë me tematikë sociale siç janë një grup filmash eksperimentalë nga Greqia.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA