Shefi i EULEX-it Xavier De Marnhac ka deklaruar se misioni që drejton i ka shtuar patrullat policore në veri.

De Marnhac, sipas RTK-së, thotë se kanë nisur hetimet për djegien e portës në Jarinje, për vrasjen e një pjesëtari të Policisë së Kosovës dhe për veprat e tjera penale të dy javëve të kaluara.

`Ne jemi duke punuar bashkë me KFOR-in për të ulur tensionet dhe për gjetjen e zgjidhjes. Ky është prioriteti për EULEX-in. Dhuna është e papranueshme dhe ne po punojmë që kryerësit t`i sjellim para drejtësisë`, tha De Marnhac gjatë vizitës së shefit të diplomacisë gjermane në pikën kufitare në Jarinje në veri të Kosovës.

Westerwelle viziton pikën e Jarinjës

Shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle vizitoi pikën kufitare në Jarinje, ndërsa ushtarët amerikanë në bazën e KFOR-it pranë pikës kufitare e rritën nivelin e sigurisë.

Vizita e ministrit gjerman është bërë pa praninë e gazetarëve, bën të ditur Kosovapress, pasi nuk u lejuan nga ushtarët e KFOR-it.

Shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle deklaroi në Prishtinë se integriteti territorial i Kosovës është i padiskutueshëm dhe se harta e Ballkanit është ravijëzuar përfundimisht.

Westerwelle theksoi se duhet dialog për të zgjidhur mosmarrëveshjet Serbi-Kosovë dhe se duhet të realizohet dhe të vihet në jetë marrëveshja e përkohshme për veriun.

“Për ne është shumë e qartë që duhet të ketë bashkëpunim në vend të konfrontimit. Po ashtu ftoj që palët të bashkëpunojnë me KFOR dhe EULEX”, tha Westerwelle.
 

Top Channel