BE, kufizohen transaksionet

12/08/2011 19:45

Tregjet e aksioneve kanë vazhduar rritjen, me forcimin e besimit tek eurozona dhe një shtim të shitjeve me pakicë në Shtetet e Bashkuara.

Rritja që shkon deri në 4% vjen në kohën kur kontinenti i vjetër po bën një tjetër përpjekje për rivendosjen e rregullit nëpërmjet kufizimit të “shitjeve të shkurta”, termi i përdorur për shitjen e aseteve të huazuara nga një palë e tretë me qëllim riblerjen më vonë të aseteve identike.

Ndalimi i kësaj praktike të konsideruar një formë spekullimi pati ndikim pozitiv mbi bursat europiane, por ekspertët theksojnë se përmirësimi ishte tepër i brishtë.

“Arsyeja e një lëvizjeje të tillë është të tentojmë t’i japim fund paqendrueshmërisë së tregjeve, lëvizjeve histerike që kemi parë kohët e fundit dhe në përgjithësi të ndalojmë këto rënie të vrullshme. Dhe kjo mund të realizohet deri në një farë mase duke limituar blerjet e shkurtra, të cilat favorizojnë luhatjet negative”, u shpreh Alexander Hick, drejtues i kompanisë X-Trade Brokers.  
Komisioni Europian i përshëndeti masat e adoptuara nga katër vende të BE-së: Franca, Italia, Spanja dhe Belgjika, por shtoi se një kornizë ligjore e BE-së mund të jetë më efikase për menaxhimin e kësaj situate.

“Është hera e parë që ndërmerret një veprim i tillë i koordinuar. Kjo provon edhe një herë se autoritetet europiane të mbikqyrjes, vërtet që i ndryshojnë gjërat. Në thelb, do të thotë se kufizimet janë më efikase. Komisioni i mirëpret të tillë zhvillime, megjithatë ato do të ishin edhe më të efektshme nëse për shitjet e shkurta do të vendosej një kornizë ligjore europiane”, deklaroi Chantal Hughes, zëdhënëse e Komisionit Europian.

Ndalimi i shitjeve të shkurtra u njoftua mbrëmjen e së enjtes, kur zyrtarët paralajmëruan gjithashtu të mos ushqehen spekullimet me qëllim përfitimi.

Me shitjen e shkurtër, tregtari i bursës përpiqet të nxjerrë fitim duke shpresuar në rënien e vlerës së çmimit. Kjo praktikë është fajësuar se ndikon në paqëndrueshmërinë e tregut. Lajmi se rritja ekonomike në Francë u ndal në tremujorin e dytë mund të ngrejë shqetësime se ekonomia europiane po ndikohet nga kriza e borxhit që ka goditur një sërë vendesh  dhe ka krijuar përshtjellim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA