
Kur duhen vetëm pak ditë nga fillimi i sezonit të ri të serisë A, “Il
Guerriero” Lorik Cana nis të rifitojë vlerësimin e Lacios dhe
specialistëve italianë.
Dhe është vetëm fillimi, sigurojnë ata që e njohin Lorikun. Pak para se të grumbullohej në Kombëtare, në një miqësore të Lacios me Aris të Selanikut, nuk kaloi pa u vënë re paraqitja e Lorik Canës.
Mesfushori shqiptar, i ardhur për të përforcuar mesfushën dhe që u përfshi në mesin e disa polemikave sterile në javët e fundit, ka nxjerrë në pah se nga çfarë brumi është bërë: markim një për një, agresivitet, forcë, këmbëngulje dhe shumë, shumë dëshirë për t’u vënë në dispozicion të skuadrës dhe mbi të gjitha të trajnerit Edi Reja.
Pas vuajtjes së atij fillimi të fazës përgatitore, edhe për shkak të një dëmtimi që e ka vonuar të kapë formën e tij më të mirë, ndaj grekëve ai është shfaqur dinjitoz, i ndërgjegjshëm dhe në formë të mirë. Kush mendonte ose ishte i bindur se bëhej fjalë se ai ishte një dështim në merkato, ka filluar të tërhiqet. Në modulin 4-2-3-1 të Rejas, Cana duket se është pikërisht lojtari që i mungonte Lacios së vitit të kaluar. Shtylla e gjatë, i fuqishëm dhe si një mur i vërtetë para mbrojtjes, është gjithnjë i gatshëm të rinisë skuadrën në aksion. Kjo nuk do të thotë që Broki e Gonzales janë lënë pas, por vetëm se Lacio ka më në fund një armë më shumë, falë së cilës është ngritur niveli i mesfushës bardhekaltër, repartit, që së bashku me problemin e golit, ishte një tjetër “Thembër e Akilit” për Lacion e sezonit të kaluar.
Me shqiptarin në krahun e tij edhe Kristian Ledesma duket më i qetë, i sigurt dhe i pashqetësuar në punën e tij, pa pasur detyra të markimit të vazhdueshëm. Argjentinasi i është dedikuar i gjithi organizimit të lojës së skuadrës, duke menduar vetëm dhe ekskluzivisht regjisë bardhekaltër. Lacio me Canën dhe modulin e vjetër jo vetëm që është përmirësuar, por pak nga pak po rigjen lojtarë të rinj dhe të vjetër. Reja është shprehur i kënaqur për paraqitjen e Canës. Atij i ka bërë përshtypje fleksibiliteti dhe dëshira e këtij lojtari.
Top Channel