Rama: Ministrat nuk janë të paprekshëm

10/08/2011 11:25

Ndryshimi në përfaqësimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në
qeverisje është një proces që do të materializohet së shpejti duke u
lidhur parimisht me objektivat elektoralë të vitit 2013.

Sekretari i përgjithshëm i saj, Luan Rama, përcjell në intervistën për “Shqip” arsyet e debatit të fundit në parti, që merr në konsideratë, sipas tij, përfaqësimin në qeverisje dhe jo koniunkturat që perceptohen publikisht. Sipas tij, analiza do të jetë e thellë dhe e plotë për t’i vetëshërbyer partisë si premisë thelbësore në vendimin për ndryshime.

Si e gjykoni debatin e nisur së fundmi brenda LSI-së sa u përket ndryshimeve në qeveri?

Së pari, më lejoni të konstatoj fare miqësisht që pyetja juaj e formuluar si “debat brenda LSI-së për ndryshimet në qeveri”, reflekton një perceptim të mangët në lidhje me debatin për të analizuar performancën e të gjithë përfaqësuesve të LSI-së në të gjitha nivelet e qeverisjes, pra jo vetëm të ministrave. Së dyti, analiza e punës së ministrave që përfaqësojnë LSI-në në qeverisje prej dy vitesh është një gjë krejt normale, madje dobiprurëse për vetë partinë, por edhe për ministrat tanë. Kjo që thashë, pra ideja për të bërë një analizë të punës, është e lidhur me kontekstin e përgjithshëm të analizës dhe zgjedhjeve që ne do të zhvillojmë në të gjitha nivelet e organizimit të partisë gjatë fushatës që nis më 10 shtator. Së treti, debati është një vlerë thelbësore në të gjithë veprimtarinë e LSI-së, ndaj nuk ka ndonjë gjë gabim nëse bëjmë debat mes kolegësh, pavarësisht mënyrës sesi shprehet njëri apo tjetri për një çështje të caktuar. LSI-ja nuk i trembet debatit për asgjë, pasi për ne nuk ka tabu. Edhe në mbledhjen e fundit të Komitetit Drejtues Kombëtar u theksua domosdoshmëria e analizave të detajuara, u theksua nevoja për debat dhe ndryshime për të përmirësuar punën, me synim fitoren në zgjedhjet e vitit 2013.

Ka një perceptim se ky është më shumë një rivalitet për poste. Me çfarë lidhet ndryshimi që kërkohet përveç se me cilësinë e individëve në veçanti?

Ju thashë që është perceptim i gabuar. Nuk është çështje rivaliteti për poste, por është vetëm shqetësimi dhe preokupimi sesi LSI-ja mund të bëjë më të mirën për të fituar në zgjedhjet e ardhshme. Ne do të zhvillojmë një analizë dhe vetëm pas saj do të konkludojmë se ku duhet të ndërhyjmë për të ndryshuar. Por ndryshimet mos i lidhni domosdo vetëm me emrat e ministrave, të cilët natyrisht që nuk janë të paprekshëm. Çështja shtrohet në parim, jo e personalizuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA