Kapet heroinë, tre shqiptarë në pranga

10/08/2011 11:45

Ka rezultuar i suksesshëm një operacion i policisë italiane në Verona,
ku u sekuestruan 170 kg lëndë narkotike, ndërsa tre shqiptarë të dyshuar
si poseduesit e saj, u arrestuan në flagrancë.

Mediat italiane, të cilat iu referohen burimeve të policisë vendore shkruajnë se bëhet fjalë për goditjen shkatërruese që njësitë e antidrogës i kanë bërë një bande shqiptarësh që konsiderohej se drejtonte trafikun e heroinës në Itali. “Ky konsiderohet një nga operacionet antidrogë më të arrirë që policia ka zhvilluar vitet e fundit, pasi mendohet të jetë shkatërruar një organizatë trafikantësh të Europës Lindore, duke arrestuar katër persona”, shkruajnë mediat italiane. Sipas tyre droga u kap pas dy goditjeve me informacion të sigurt në Verona dhe Padova, që u koordinuan nga Drejtoria e Antimafies e Rajonit.

Drejtues të policisë deklaruan se sasia prej 170 kg heroinë e sekuestruar dje është gati 1/6 e sasisë së drogës që është sekuestruar në Itali gjatë 2010-s, apo afro 55 për qind e asaj që është sekuestruar në niveli kombëtar në 6-mujorin e parë të këtij viti. Po sipas tyre, grupi i shqiptarëve, i degëzuar në Italinë Veriore, ishte kreu i organizatës së trafikantëve të heroinës.

Nga hetimet e antimafies së rajonit të Venecias, u konfirmua se banda kriminale deri në tetor të 2010-s, transportonte sasi të mëdha heroine nga Afganistani dhe Pakistani drejt Italisë, nëpërmjet Ballkanit.

Vëmendja e hetuesve është fokusuar, në mënyrë të veçantë, te një grup që vepronte në krahinën e Veronës, ku pas operacionit të zhvilluar, përfunduan në pranga Durim Vishkurti, 31 vjeç, Sokol Çota, 35 vjeç, dhe Ermal Dorda, 25 vjeç, i cili kishte ardhur nga Shqipëria për të koordinuar punën për përpunimin e drogës.

Pak muaj më parë policia kishte arrestuar 4 shqiptarë anëtarë të kësaj organizate, si dhe kishte sekuestruar 30 kg heroinë në provincat e Breshias e Veronës.

Droga u gjet në një banesë, e cila përdorej si laborator përpunues i heroinës. Tre shqiptarët u kapën teksa po paketonin heroinën. Gjithashtu u sekuestruan substanca për të përpunuar të paktën 400 kg heroinë, si dhe elementë të tjerë të përpunimit të drogës.

Duke monitoruar lëvizjen e trafikantëve, agjentët antidrogë kanë identifikuar dy shtëpitë, njëra prej të cilave është përdorur si depozitë për një tjetër substancë për përpunimin e heroinës. Shtëpia tjetër në Roverchiara, që ishte marrë me qira nga Sokol Çota është përdorur si laborator. Pikërisht këtu u kapën edhe tre të dyshuarit, që ishin shqiptarë, dhe sasia e përpunuar dhe paketuar e heroinës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA