Durrës, PDIU fiton kreun e këshillit të bashkisë

10/08/2011 11:05

Tre muaj pas përfundimit të zgjedhjeve lokale është strukturuar Këshilli
Bashkiak i qytetit të Durrësit, bashkisë më të madhe në vend, e cila ka
hyrë në muajin e tetë të këtij viti pa një buxhet të miratuar, gjë që
ka ndikuar ndjeshëm edhe në cilësinë e sezonit turistik.

Pas verifikimit të mandateve të çdo këshilltari, mes debatesh për vendosjen e rregullave paraprake të votimit është zgjedhur kryetari i këshillit bashkiak me shumicë votash 24 me 20. Frika për leximin e pastër të votave nga aleatët brenda së djathtës shkaktoi dhe debat mes socialistëve e demokratëve lidhur me cilësimin paraprak të asaj që do të quhej votë e pavlefshme.

Në këtë post u zgjodh Indrit Hamiti, një nga figurat drejtuese të PDIU-së në Durrës, ndonëse emri i tij është në listën e këshilltarëve demokratë. Hamiti fitoi kundrejt kandidaturës së Fatmir Gjergjit, propozuar nga Partia Socialiste.

Zgjedhja e Hamitit në krye të këshillit bashkiak hodhi poshtë përfundimisht zërat për një kalim të grupit të këshilltarëve të PDIU-së në krahun tjetër, në Aleancën për të Ardhmen. Ndërkaq, po me shumicë votash u zgjodh edhe nënkryetari i këtij këshilli, Edmond Rubiku, përfaqësues i PD-së. Të majtët vunë përballë tij kandidaturën e Fatmir Shahinit.

Ndërkaq mbërritja e kreut të OSBE-së Eugen Volfart për betimin e kryebashkiakut Vangjush Dako, solli një ndryshim të vogël në rendin e ditës. Betimi i kryetarit të bashkisë Vangjush Dako, që fitoi bindshëm në zgjedhjet e 8 majit, përballë rivalit demokrat Ferdinand Xhaferri, u ndoq me interes jo vetëm nga këshilltarët dhe stafi i tij, por edhe nga të ftuarit e tjerë në ceremoninë e betimit.

Kryebashkiaku Dako ka deklaruar se edhe në mandatin e dytë Bashkia e Durrësit ka prioritet përmirësimin e jetesës së qytetarëve durrsakë nëpërmjet investimeve të mëdha që po përmirësojnë përditë e më shumë imazhin e një qyteti turistik si Durrësi.

Ambasadori i OSBE-së, Volfart, dhe Dako kanë zhvilluar më pas një takim, ku kryebashkiaku ka pritur urimet e kreut të OSBE-së për këtë mandat të dytë, ndërkohë që më tej biseda është përqendruar rreth projekteve të Bashkisë së Durrësit dhe procesit zgjedhor. Mbledhja më e afërt e Këshillit Bashkiak të Durrësit, ku shumicën e ka Aleanca për Qytetarin, pritet të mbahet gjatë këtij muaji për t’i çelur rrugë zbatimit të investimeve publike, përmes miratimit të projektbuxhetit 2011.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA