Pavarësisht zhvillimeve të jashtëzakonshme në të cilat ka kaluar Kosova
që nga 25 korriku kur Njësitë Speciale u dërguan në veri, Kuvendi i
Kosovës është mbledhur vetëm një herë që nga ajo kohë. (UPDATE)

Më 28 korrik Kuvendi miratoi një Rezolutë, përmes së cilës i jepej Qeverisë mbështetje e plotë për vënien e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin. Menjëherë pas kësaj, më 1 gusht përfaqësuesit e popullit shkuan në pushime, pavarësisht se gjendja në veri vazhdonte të ishte e tensionuar pa ndonjë zgjidhje. Dhe, në këto rrethana deputetët e Kosovës deri më tani nuk e kanë prishur axhendën e zakonshme të pushimeve.

Seance e ardhshme e Kuvendit pritet të mbahet vetëm më 23 të këtij muaji, dhe kështu u vendos gjatë së mërkurës në mbledhjen e Kryesisë të thirrur nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ku mungonte kryekuvendari Jakup Krasniqi dhe nënkryetari tjetër Glauk Konjufca. Po ashtu, askush nga kryetarët e grupeve politike kuvendore nuk ishin prezent në këtë mbledhje, ku u vendos që në seancën e ardhshme të shqyrtohen disa projekt-ligje, ndërsa deri më tani nuk ka ndonjë kërkesë për të diskutuar për situatën në veriun e Kosovës.

Për pushimet e deputetëve në këtë kohë kryeministri Hashim Thaçi pati drejtuar kritika ditë më parë në adresë të Kuvendit të Kosovës. Por, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, që vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, e arsyeton këtë me detyrat ligjore që ka Kuvendi.

 “Nuk dua ta kritikoj askënd që ka shkuar në pushim, por Kuvendi ka miratuar një rezolutë e cila e mbështet fuqishëm Qeverinë e Kosovës dhe Kuvendi nuk është ndonjë repart i cili drejton operacione që janë kompetenca të organeve tjera”, tha nwnkryetari i kuvendit, Xhavit Haliti.

Sipas z. Haliti, është thënë publikisht që deputetët janë në pushim emergjent, dhe se kurdo që është nevoja do të mund të mblidheshin, sipas kërkesave të cilat i lejon Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit. Sidoqoftë, në seancën e ardhshme të Kuvendit pritet të miratohen 13 projekt-ligje, të cilat janë të obligueshme që të miratohen para 1 shtatorit për shkak të Raportit të Progresit që publikohet nga Komisioni Europian.

Top Channel