Kalaja e Shkupit, një nga objektet më të rëndësishme turistike, vazhdon të qendrojë e mbyllur dhe nën ruajtjen e forcave policore.

Historianët shqiptarë shprehen shqetësimin për këtë situatë. Ata thonë se autoritetet qeveritare po përpiqen të ndryshojnë në fshehtësi identitetin ilir të kështjellës.

Historiani Skënder Hasani thotë se momentalisht kalaja është e mbyllur hermetikisht dhe se ajo ruhet nga forcat speciale të policisë. Një fakt i tillë, thotë ai, pohon se aty mund të kryhen punime fshehurazi.

Kalaja e Shkupit u mbyll për vizitorët më 13 shkurt, incident ky i nxituar nga ndërtimi i një kishe brenda kalasë.

Edhe pse Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore doli me një deklaratë në fillim se mbi themelet e kishës së zbuluar do të ndërtohet muze, më pas vetë pushtetarët pranuan se objekti që ndërtohet do të jetë kishë ortodokse.

Ndërkohë, edhe pas incidentit të ndodhur, kur u përplasën protestues shqiptarë me forcat policore, kryeministri Nikolla Gruevski pati deklaruar se kisha në Kalanë e Shkupit do të ndërtohej.

Top Channel