
Kombëtarja shqiptare ka nisur grumbullimin në prag të ndeshjes miqësore
kundër Malit të Zi, e cila do të zhvillohet më 10 gusht në “Loro Boriçi”
të Shkodrës.
Me objektivin për një rezultat pozitiv, futbollistët kuqezinj shprehen se kjo sfidë është një provë e vërtetë force në prag të ndeshjes kundër Francës për eliminatoret e Euro 2012 në Grupin D. Erjon Bogdani, i cili me 12 gola, është golashënuesi i tretë më i mirë i të gjitha kohërave të Shqipërisë, 7 prej të cilëve i ka shënuar në eliminatoret e kampionateve botërore, ka theksuar se sfida me malazezët, përtej kënaqësisë dhe rivalitetit të një miqësoreje me një fqinjët jo fort të dashur, është një prove gjenerale për sfidën ndaj Francës në ditët e para të shtatorit.
“Kjo me Malin e Zi është një ndeshje miqësore, për të cilën trajneri ka thirrur atë grup lojtarësh që mendon se do të përballojnë dhe ndeshjen zyrtare me Francën dhe me Luksemburgun”, u shpreh Bogdani në konferencën për shtyp, ku më pas sqaroi edhe mendimin e tij, pse e shikon këtë ndeshje si një test shumë të mirë për para ndeshjet e ardhshme eliminatore.
“Do luajmë me Malin e Zi, që është një ekip shumë i fortë dhe më pas me Francën. Të gjithë lojtarët kanë dëshirë që të dalim mirë me Francën dhe të japim maksimumin, sepse ekipi shqiptar në Shqipëri, ka zhvilluar ndeshje shumë të mira përpara publikut.
Pra, them që duhet të luajmë sa më mirë dhe të mobilizohemi për rezultate pozitive”, tha bomberi i kombëtares kuqezi. Sulmuesi 34-vjeçar i Çezenës e vlerëson si shumë të rëndësishme ndeshjen miqësore me Malin e Zi, si një test serioz përpara përballjes me Francën, për eliminatoret e Euro 2012-s. “Er-Bomber” foli dhe për të ardhmen e tij në Serinë A.
“Për eliminatoret e Euro 2012-s, si ekip kombëtar synojmë të paktën të marrim 14 pikë në grup, dhe të bëjmë një ndeshje dinjitoze me Rumaninë në Shqipëri”. Për Bogdanin flitet shpesh se ai mund të largohet nga Çezena, skuadra e tij aktuale, të cilën me tetë golat e tij e ndihmoi të mbijetonte në Serinë A. Janë përmendur disa ekipe, por vetë Bogdani sheh si opsion më të mundshëm Novarën e porsangjitur në Serinë A, me të cilën luan edhe portieri i Kombëtares shqiptare, Saimir Ujkani. Në listë është dhe Bolonja me Katanian. “Jam duke u përgatitur me ekipin tim aktual, Çezenën, me të cilën kam luajtur në ndeshjet miqësore, rrëfen ai, për sa i përket të ardhmes sime, kam dhe një vit kontratë”. “Nëse unë do të gjej një ekip, që do të më kënaqë nga ana financiare, dhe nga ana tjetër të ketë një projekt të qartë, nuk diskutohet që mund të largohem nga ekipi i Cezenës. Nëse Novara me ofron dy vjet kontratë, atëherë do të shkoj atje. Gjithsesi, më duhet ta theksoj se më duhet t’ia filloj nga e para. Klub i ri, ambient i ri, tifozë të rinj”, përfundon Bogdani
Top Channel