Barrikadat e vendosura nga serbët dhe strukturat paralele në Veriun e Kosovës, pritet të hiqen gjatë ditës së martë. (UPDATE)

Vendimi erdhi pas një takimi në Beograd, të liderëve serbë të komunave veriore dhe presidentit, Boris Tadic.
 
Përfaqësuesit janë bindur që të pranojnë pajtueshmërinë e arritur mes Kosovës, KFOR-it dhe Serbisë.
 
Radenko Nedeljkovic, shef i të ashtuquajturit Qarku i Mitrovicës, institucion ky paralel, ka deklaruar pas takimit se “do të vazhdohet bashkëpunimi me institucionet e shtetit të Serbisë”, dhe i ka kërkuar presidentit serb që të kujdeset për tuajtjen e Rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.  
 
Pritet që nesër të zhvillohet edhe një mbledhje e institucionit paralel “Këshillit të Komunave Serbe në Veri”.
 
Oliver Ivanovic, sekretar shtetëror për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë për Top Channel nëpërmjet telefonit se “takimi i së martës do të jetë përfundimtar në lidhje me barrikadat”. Ai ka thënë se nuk dëshiron të paragjykojë se çfarë do të jetë vendimi i “Këshillit të Komunave”, por ka thënë se shpreson që vendimi do të jetë për të liruar rrugët.  
 
Prej dy javësh serbët kanë qëndruar në barrikada, përmes të cilave bllokuan rrugët që çonin në pikat kufitare, në Jarinje të Leposaviqit dhe Bërnjak të Zubin Potokut.
 
Kjo kishte ardhur pas aksionit të njësive speciale për të vënë nën kontroll 2 pikat kufitare për të zbatuar vendimin e Qeverisë për bllokimin e mallrave me vula serbe. Gjatë këtij aksioni mbeti i vrarë polici i njësise speciale, Enver Zymberi.
 
Njëres prej portave, asaj në Jarinje serbët i vunë flakën vetëm pak ditë pasi që njësite speciale u tërhoqën nga ajo pjesë.
 
Tashmë, portat 1 dhe 31 janë nën kontrollin e trupave të NATO-s dhe zona rreth tyre është shpallur si “zonë e kufizuar ushtarake”, ku në rast nevoje ushtarët mund të përdorin armët vdekjeprurëse.
 
Komandanti i KFOR-it, Erhard Byhler kishte paralajmëruar serbët që të largojnë barrikadat, sepse në rast nevoje do të përdorej edhe forca, por pavarësisht kësaj KFOR-i nuk erdhi në një situatë të tillë.
 

Top Channel