Vdes heroina e Luftës së Dytë Botërore

08/08/2011 16:00

Një nga agjentet sekrete më të dekoruara të Aleatëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, Nancy Wake, ka vdekur në Londër në moshën 98-vjecare.

E lindur në Zelandën e Re, por e rritur në Australi, ajo mbahet mend si personi që ndihmoi qindra përfaqësues të Aleatëve për t’u arratisur nga Franca e pushtuar.

Gestapoja gjerman i vuri asaj emrin “Miu i Bardhë” pasi ajo ishte e pakapshme.

Gjatë kohës që Wake punonte si gazetare në Evropë intervistoi Adolf Hitler në Vjenë në vitin 1933 dhe më pas bëri thirrje për luftë kundër përndjekësve të hebrejve.

Pas rënies së Francës në vitin 1940, ajo u bë anëtare e Rezistencës Franceze dhe më vonë një spiune dhe sabotuese, që organizonte rrugët e arratisjes së Aleatëve dhe sabotimet e instalimeve gjermane, duke shpëtuar qindra jetë.

Wake punoi gjithashtu për Njësinë Britanike të Operacioneve Speciale dhe u vendos në Francë në prill të vitit 1944, për të furnizuar me armë luftëtarët francezë. Në një moment, ajo ishte në krye të listës së personave më të kërkuar nga Gestapoja gjerman.

Kryeministrja australiane Julia Gillard deklaroi se zonja Wake ishte një person i vecantë, vlerat personale dhe trimëria e së cilës nuk do të harrohen kurrë.

“Nancy Wake ishte një grua me një kurajë të jashtëzakonshme, veprimet e të cilës shpëtuan jetët e qindra aleatëve dhe ndihmuan në fundin e pushtimit nazist të Francës”, ka deklaruar Gillard.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta