Britania dhe Gjermania i tërheqin vërejtjen Serbisë dhe Kosovës, se nëse
lejojnë vazhdimin e tensioneve etnike përgjatë kufirit të tyre, do t’i
dëmtojnë mundësitë për integrim në Bashkimin Evropian.

Në një deklaratë të përbashkët, bere publike nga Kosovapress, ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle dhe homologu i tij britanik, Uilijem Hejg, kanë kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi t’i japin fund krizës në kufi.

”Serbia dhe Kosova duhet të gjejnë zgjidhje diplomatike që i njeh kufijtë e Kosovës, e përmirëson jetën e secilit dhe të dy shtetet i vë në rrugë të anëtarësimit në BE”, thanë të dy ministrat, duke shtuar se nëse të dy vendet nuk e bëjnë këtë, do ta humbin rastin historik.

Veri, barrikadat nuk largohen

Rrugët kryesore që çojnë në pikat kufitare në Jarinje të Leposaviqit dhe Bërnjak të Zubin Potokut vazhdojnë të mbahen të bllokuara nga strukturat paralele serbe.

Zhbllokimi i rrugëve nuk është bërë ende as pas “pajtueshmërisë” ndërmjet KFOR-it dhe qeverisë së Kosovës, për të cilën është pajtuar edhe Serbia.

Në takimin që kanë mbajtur përfaqësuesit e të ashqutuajturit “Këshilli i Komunave Serbe në Veri” është vendosur që të martën më 9 gusht të analizohet situata aktuale politike dhe e sigurisë, me theks të veçantë tek marrëveshja mes qeverisë së Serbisë dhe KFOR-it, si dhe çështjen e barrikadave.

Siç raporton “B92”, liderët serbë të veriut kanë ftuar serbët në barrikada që “ta shprehin pakënaqësinë e tyre dhe rezistencën ndaj tentimeve të dhunshme të autoriteteve shqiptare”.

Beogradi: Jo institucioneve në veri

Beogradi nuk duket i kënaqur me marrëveshjen e arritur së fundi mes KFOR-it dhe qeverisë së kryeministrit Hashim Thaci.

Agjencia e lajmeve “Tanjug” citon zyrtarë të rëndësishëm serbë që thonë se nuk do të lejojnë instalimin e institucioneve kosovare në pjesën veriore të vendit.

Ata kanë paralajmëruar se këtë do ta kërkojnë edhe në bisedimet e 5 shtatorit në Bruksel.

Më herët, negociatori serb në bisedimet me Kosovën, Borko Stefanovic deklaroi se marrëveshja nuk ishte më idealja dhe jo më e mira.

Top Channel