Ka pak ditë që në plazhin e madh të Durrësit janë shfaqur rojet e plazhit, të cilët ofrojnë më shumë siguri për pushuesit e shumtë që frekuentojnë Durrësin dhe plazhet e tij.
Sistemi i sigurisë në plazhet e rrethit bregdetar ka munguar përgjatë këtij sezoni turistik që ka regjistruar edhe disa të mbytur. Mungesa e rojeve të plazhit u evidentua si një nga problemet kryesore të këtij sezoni dhe prefekti i qarkut, Genci Alizoti, i kërkoi njësive vendore të Durrësit, Rrashbullit dhe Katundit te Ri të marrin masa në drejtim të sigurisë në plazhet që ndodhen nën administrimin e tyre.
Menjëherë ka reaguar Bashkia e Durrësit që ka ringritur sistemin e rojeve të plazhit nga Ura e Dajlanit deri në sektorin Iliria, ku veprojnë 10 roje plazhi, dy barka peshkimi dhe një motoskaf.
“Kujdesemi për fëmijët dhe ata që nuk dinë not. Kemi tetë pika, varka shpëtimi dhe një skaf për rastet më emergjente”, thekson një nga rojet.
Rojet e plazhit dallohen nga uniforma dhe pajisjet e komunikim-vëzhgimit që mbajnë dhe janë pjesëtarë të ekipit të notit të qytetit të Durrësit.
Ata janë vullnetarë dhe në bashkëpunim me bashkinë e qytetit ofrojnë shërbimin e munguar të këtij sezoni duke ndihmuar pushuesit jo vetëm në det, por edhe për të gjetur fëmijët e humbur apo dhënë informacione të ndryshme.
Plazhet e Adriatikut dallohen për frekuentim të lartë pushuesish, por politikat për të krijuar standarte të sigurisë mungojnë.
Top Channel