Serbët në veri të Kosovës kanë kaluar natën në barrikada në Rudare, Zupç
dhe Leposavic.Gjatë natës nuk ka pasur incidente, por ende mbetet e
paqartë se cfarë do të ndodhë ditët në vijim, pasi  serbët e Kosovës
janë të pakënaqur me marrëveshjen e arritur ndërmjet Qeverisë së Serbisë
dhe KFOR-it.

Sipas Kosovapress, pas takimit të sotëm të Këshillit të komunave serbe të veriut, i cili do të mbahet pasdite në Zveçan, do të dihet nëse serbët e veriut do ta pranojnë marrëveshjen në fjalë.

Marrëveshja parashikon largimin e të gjitha barrikadave dhe lejimin e qarkullimit të lirë në gjithë veriun e Kosovës.

Marrëveshje Qeveri-KFOR

Qeveria e Kosovës dhe KFOR-i kanë arritur marrëveshje gjatë së premtes pasdite, që pritet të prodhojë një zgjidhje për situatën në veriun e Kosovës.

Sipas burimeve nga Qeveria e Kosovës, Top Channel mëson se në këtë takim u është thënë nga komandanti i KFOR-it, se me marrëveshjen janë dakorduar edhe qeveria dhe institucionet e tjera të Serbisë.

Në lidhje me pikat e marrëveshjes ka njoftuar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një mbledhje urgjente të qeverisë, vetëm pak kohë pasi ai është takuar me komandantin e KFOR-it, Erhard Byhler, përfaqësuesin e BE-së, Fernando Gentilini dhe ambasadorin amerikan, Kristofer Dell.

Top Channel