Banorët e rretheve Berat dhe Kucovë nga kjo e shtunë po konsumojnë në shtëpitë e tyre ujë Bogove. Kjo, falë investimit të qeverisë gjermane në projketin e ujësjellësit të ri.
Në inagurimin e pjesës së parë të investimit ishin kryeministri Berisha, ministri gjerman për Bashkëpunimin Ekonomik, Dirk Niebel dhe përfaqësues të pushtetit vendor.
Për shefin e qeverisë, ky investim është fillimi i autostradës së rrjetit të ujit në të gjithë Shqipërinë.
“Sot ne inagurojmë këtu fazën e parë të ujësjellësit Berat-Kucovë, projekt ky i përfunduar me përgjegjësi të lartë dhe me parametrat më të mirë nga kompanitë e ndërtimit, me financimin e qeverisë gjermane. Ky është vetëm një nga projektet e shumta, nga veriu i vendit në jug të tij”, ka deklaruar Berisha.
Investimi 6.6 milionë euro parashikon rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm, instalimin e matësave të ujit në qytetin e Beratit, si dhe ndërtimin e linjës kryesore të furnizimit me ujë Berat-Kucovë, me një gjatësi prej 12 km.
Top Channel