Presidenca e Kosovës e ka vlerësuar marrëveshjen e arritur ndërmjet
Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë,
të ndërmjetësuar dhe miratuar me KFOR-in.

Sipas RTK-së, presidenca vlerëson se ky është një veprim i arsyeshëm që e zhbllokon gjendjen e krijuar në tri komunat veriore të Kosovës dhe në pikat kufitare 1 e 31.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për aplikimin e masave të reciprocitetit në këmbimin e mallrave me Serbinë dhe urdhëresa e kryeministrit të Kosovës për të dërguar një njësi të policisë speciale të Kosovës, për t’i mundësuar Doganave të Kosovës zbatimin e masës së zhdoganimit dhe të kontrollit të mallrave që hyjnë në territorin tonë, ishte një veprim i drejtë e i koordinuar dhe si i tillë legal dhe legjitim për shtetin sovran të Kosovës”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu.

Sipas kësaj deklarate, “bllokimi i rrugëve dhe tentimi për kundërshtim të masave të Qeverisë dhe mosrespektim të ligjit dhe rendit, rrezikonte të çonte një pjesë të territorit në një krizë humanitare dhe në acarim të marrëdhënieve ndërmjet qytetareve të kësaj pjese të territorit të Republikës së Kosovës”.

Top Channel