Fushaj, 35 mijë euro Rajoviçit

06/08/2011 11:15

Mbrojtësi Blazho Rajoviç është shumë pranë rikthimit te Vllaznia, pasi
presidenti Valter Fushaj po insiston ta bindë atë, ashtu sikurse bëri
edhe me portierin malazez Mirosllav Vujadinoviç.

Sipas informacioneve më të fundit nga kampi shkodran, mësohet se numri një i klubit shkodran e ka rritur sërish ofertën në adresë të këtij lojtari, duke i dhënë shumën prej 35 mijë eurove.

Rajoviç kishte për të kthyer një përgjigje përfundimtare, qoftë negative apo pozitive, Vllaznisë ditën e djeshme ose të sotme, por siç duket është shtyrë për deri në fillim të javës tjetër. Kështu pohojnë burimet tona të besueshme pranë presidencës shkodrane, ku Fushaj e ka rritur ofertën e dytë financiare, në krahasim me atë të parën, të para pak ditësh. Por duket se përsëri, të paktën për momentin, mbrojtësi malazez nuk është tunduar nga kjo ofertë.

Sipas asaj çfarë mësohet përsëri, jo në rrugë zyrtare, thuhet se Rajoviç ka 2-3 oferta nga disa klube të tjera nga jashtë kampionatit shqiptar dhe gjithnjë sipas vetë lojtarit në fjalë, brenda Shqipërisë, ai do të zgjidhte përsëri Vllazninë. Por kjo mbetet për t’u parë. Mundet që një lojë e tillë e Rajoviç, të jetë edhe një farë presioni ndaj krerëve të klubit shkodran, për t’i bindur ata që të rritin ofertën e tyre ekonomike, siç edhe e bënë në këtë rast, duke e ngritur kuotën në 35 mijë euro në një sezon.

Sigurisht që Rajoviç është një nga mbrojtësit më të mirë në kampionatin shqiptar, por edhe oferta e dytë e Vllaznisë nuk mund të konsiderohet e ulët, por e kënaqshme, aq më tepër për një mbrojtës. Megjithatë duket se fjalën e fundit do ta thotë vetë futbollisti, i cili po matet mirë për të vendosur për të ardhmen e tij. Ndoshta ai përsëri do të bëhet pjesë e kuqebluve për sezonin e ri, por nëse Rajoviç e shikon të ardhmen në Shkodër, duhet të nxitojë, pasi skuadra e Vllaznisë ka hyrë në një fazë interesante përgatitjesh për sezonin e ri futbollistik, duke konturuar apo projektuar edhe formacionin e mundshëm, që pastaj malazezit do t’i duhet shumë punë, e mjaft ditë në dispozicion për të fituar vendin e titullarit. Ndërkohë që Vujadinoviçit i janë plotësuar kushtet dhe ai është bërë pjesë e ekipit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA